“Gjethet që bien” ftojnë fëmijët në Cirkun e Metropolit
“Gjethe që bien” quhet premiera, me të cilin Cirku i Metropolit ka çelur sezonin e ri artistik pas pushimeve verore. Deri më 22 nëntor, çdo të shtunë dhe të diel, në orën 11:00, fëmijët
e kryeqytetit kanë mundësinë të shijojnë ketë shfaqje cirku. Premiera “Gjethet që bien” ofron një përmbledhje të numrave më të mirë të krijuar në 50 vitet e ekzistencës së cirkut shqiptar, të cilët tashmë janë ripunuar dhe rikonceptuar për ketë shfaqje.
Është një mozaik numrash të ajrit, akrobacisë, plastikes, xhonglimit, numrave të shpejtësisë dhe klounatës, ku mund të përmendim "Fjongoja fluturuese", "Klasa e qeneve", “Basketbollisti xhongler”, “Plastika- Vajza e kabaresë” si dhe lojërat humoristike të klounëve të cirkut. Nuk do të mungojnë as performancat e fëmijëve të grupit "Spekter" që i shtojnë koloritin shfaqjes. Udhëheqës artistik i kësaj shfaqje është
mjeshtri Fatos Roshi, ndërsa interpretues janë akrobatet Manushaqe Mullai, Sokrat Buzo, Gentian Dollaku, Juxhina Madhi, Pranvera Sallata, Fitnete Duro, Xhejms Kodra, Novruz Hyseni. Prezantues eshte Vilson Gjocaj.
KRITIKA
“Variety” vlerëson filmin “Koha e kometës”
Revista e famshme e kinemasë “Variety” nëpërmjet një shkrimi të botuar në uebsajtin e saj këto ditë ka vlerësuar gjetjet regjisoriale të Fatmir Koçit dhe lojën e aktorëve në filmin me skenar të bazuar mbi romanin “Viti i mbrapshtë” të Ismail Kadaresë. Sipas “Variety” subjekti trajtohet në mënyrë të veçantë dhe personazhet groteske, situatat tragji-komike janë një gjetje që e shton më tej interesin për ta parë këtë film. “Koha e kometës” është një bashkëprodhimin shqiptaro-gjerman, në të cilin marrin pjesë aktorët Blerim Destani, Masiela Lusha, Çun Lajçi, Xhevdet Ferri etj. Filmi, ndonëse është replikuar nga shtypi kosovar e më rrallë, nga ai shqiptar, ka pasur sukses në Festivalin Ndërkombëtar Veror të Durrësit, duke marrë edhe një prej çmimeve të këtij evenimenti.
23 Shtator 2009