E Diel, 1 Nëntor 2026

"Antigona" rikthen Gërdecin në Durrës

Ka qenë një sukses shfaqja e premierës
"Antigona", e vënë në
skenën e teatrit "Aleksandër
Moisiu". Ashtu si kishte deklaruar
paraprakisht producenti i saj, "Antigona"
thyen kornizat e teatrit klasik, duke u
vënë në kërkim të një spektatori të ri. Një
ekspresion skenik i spikatur, që shpreh
bashkëpunimin e teatrit me artet e tjera,
duke goditur stereotipin e komunikimit
teatror, duke krijuar hapësira të reja për
qasjet teatrore bashkëkohore dhe në vendin
tonë. Ndërthurja e interpretimit aktorial
me atë muzikor dhe efektet zanore,
ato të ndriçimit dhe video-projektimin
përcollën një mënyrë jo fort të njohur të të
bërit teatër. Xhaketat e vjetra të teatrit
durrsak u shprehën se nuk janë partizan
të këtij lloj teatri, ndërsa te 40-vjeçarët dhe
brezat më të rinj, "Antigona" erdhi si një
risi që përcolli më së miri fatin e trishtë jo
vetëm të një individi, po dhe krejt të një
kombi për shkak të kequdhëheqjes, diktaturës
dhe atyre që marrin dhe ekzekutojnë
vendime. Loja e mrekullueshme e
Ermela Telit në rolin e Antigonës dhe e
Neritan Liçajt në rolin e mbretit Kreon, u
ndërthurën bukur me plastikën, lëvizjet
dhe ndërhyrjet e pakta me zë të regjisorit
dhe njëkohësisht aktorit Yuri Dini dhe
francezes Valerie Desmart. Një performancë
shumëdimensionale që i jep "Antigonës"
një pozicion pioniereje në teatrin
shqiptar të kësaj periudhe, duke e
afruar publikun artdashës me format e
reja të teatrit modern. Prania e fuqishme
e gjesteve, lëvizjes dhe pasqyrimi i
gjendjes emocionale të personazheve
nëpërmjet tyre, përdorimi i disa instrumenteve
muzikore në skenë, i lojës me
zjarrin në duart e personazhit Vdekje, janë
elementë regjisorialë të gjetur në shfaqje.
Teatër ndryshe apo teatri i lëvizjes. Këto
qenë disa nga përcaktimet e bëra për
shfaqjen menjëherë pas premierës së saj
nga spektatorët e entuziazmuar prej saj.
Të tjerë i kanë vlerësuar të tepërta efektet
e zgjatura të dritë-hijeve që paralajmëronin
dramacitetin e ngjarjeve në vazhdim.
Tragjedia e Antigonës dhe familjes së saj
është ndërthurur me pamjet tronditëse të
shpërthimit të Gërdecit, që ashtu si fundi
i trishtë i Antigonës po përjeton fazën e
heshtjes, pavarësisht pasojave dhe 26
jetëve të humbura në të. Kohët përzihen
dhe heqin paralele mes tyre, duke kuptuar
se jetojmë në të njëjtat realitete, pasi
lejojmë, pavarësisht evoluimit kohor, të
përsëriten drama, tragjedi në jetët tona të
përbashkëta. Skenografia e Thanas
Popës, videot grafike të Indrit Domit dhe
kanto e Linda Rukajt, i kanë dhënë jetë një
gjuhe të shumëfishtë teatrore të pasuruar
në bazë të teknikave të reja për skenën
shqiptare, po tashmë praktika të konsoliduara,
si të suksesshme të teatrit
bashkëkohor në botë. Kështu, gjuha e
imazhit, e lëvizjes e ofshamave të shpirtit
dhe ogureve të zeza, që vijnë nga qielli ka
përcjellë në Durrës, nëpërmjet "Antigonës"
së dramaturgut francez, Zhan
Anui dhe e vënë në skenë nga kompania
teatrore "BaH", një formë të re teatrore që
eksperimentohet për herë të parë në
skenën e "Aleksandër Moisiut", duke thyer
skemat e teatrit klasik, aq të njohur nga
artdashësit shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›