E Diel, 1 Nëntor 2026

E bija e Aleks Budës: Alfabetin e mësova nga arkivat e familjes

Edhe atëherë kur shumë figura të
njohura u varrosën në heshtje,
ajo ndërtonte një histori të vërtetë
të tyre. Tatjana Haxhimihali, vajza
e Aleks Budës, ka shumë për të rrëfyer.
Rrënjët e saj shkojnë më tej se themeluesi
i Akademisë së Shkencave. Ajo është mbesa
e Dhimitër Budës, një prej figurave që
ngulmoi fort për alfabetin e shqipes dhe
një nga delegatët që dha votën për alfabetin
e Kongresit të Manastirit. Bashkë me
pinjollë të tjerë, mbesën e Simon Shuteriqit,
stërmbesën e Feim Zavalanit,
trashëgimtarët e Mit‘hat Frashërit, Luigj
Gurakuqit, Petro Nini Luarasit, Hilë Mosit,
Sulejman Starovës, nderuan kujtimin e
atyre që vunë bazat e shqipes së sotme.
Ata janë bashkuar rreth një nisme të Elida
Jorgonit, për të ndjekur simbolikisht gjurmët
e paraardhësve të tyre me rastin e 100-
vjetorit të Kongresit të Manastirit. Tatjana
Haxhimihali është aty për gjyshin e saj,
Dhimitër Budën, i cili së bashku me Simon
Shuteriqin përfaqësuan Elbasanin në
këtë ngjarje historike. "Së pari, është një
takim nostalgjik, por që na sjell në mendje
kujtime, mbresa dhe përpjekje. Në 1908-
ën, gjyshi im bënte thirrje për pajtim kombëtar.
Gjuha është përfaqësuese e një
kombi dhe pa një alfabet të përcaktuar, ajo
është e vdekur. Në këtë kuptim, vlera e
Kongresit të Manastirit dhe e mendjeve që
organizuan një takim të tillë, që ishin elita
e inteligjencës shqiptare nga të gjitha krahinat,
lidhet me ruajtjen e kombësisë shqiptare",
shprehet Haxhimihali. Gjyshi i
saj, Dhimitër Buda, bashkë me Kostandin
Kristoforidhin dhe Aleksandër Xhuvanin
luftonin për alfabetin latin. Tatjana kishte
fatin që rrethohej nga një bibliotekë me
mijëra libra, mes të cilëve mësoi shumë të
vërteta. Vetëm pak kohë më parë, ajo i
dhuroi Bibliotekës Kombëtare nëntëmijë
vëllime të Aleks Budës. Një histori të pashkruar,
ajo ka gjetur mes dokumenteve
të trashëguara, dorëshkrime e korrespondenca.
"E kam ndjekur vazhdimisht në
familje përpjekjen e gjyshit për alfabetin
e shqipes. Në shtëpi, gjithçka që lidhej me
një traditë patriotike ishte e shenjtë për ne.
Nëse jashtë ishin kufijtë e prerë, brenda
nuk kurseheshin të na tregonin gjithçka
që ata mendonim se duhet ta dinim. Për
tim at, nuk ekzistonin kufij klasorë. Sipas
tij, ishin të gjitha idetë patriotike që e bënin
një njeri të vlerësohej, të ishte bashkëkohës dhe bashkëpjesëtar në idenë për
të mbrojtur patriotizmin. Atëherë nuk shkruhej
se kush ishin këto figura, por në
familjen tonë ishin të njohur", shprehet
Haxhimihali. Në këtë rast, ajo kujton se
edhe sot ruan disa dokumente që dëshmojnë
përpjekjet për alfabetin e shqipes.
"Në vitin 1908, Dhimitër Buda u ka shkruar
të krishterëve të Selanikut që po
humbnin gjuhën shqipe dhe po bëheshin
pothuajse grekë. Kjo letër-thirrje është
botuar në gazetën "Alithia" të Selanikut.
Në një kohë që mbahej Kongresi i Manastirit,
ai nxiste ndjenjat kombëtare për të
ruajtur identitetin e për të mos përqafuar
alfabetin grek. Kjo letër-thirrje është gjetur
dhe ruhet në arkivin e babait tim.
Mban vitin 1908 dhe është shkëputur nga
gazeta "Alithia" e Selanikut", tregon më tej
Tatjana. Ajo thekson se në arkivin dhe bibliotekën
e babait të saj, Aleks Budës,
gjenden shumë gjëra që shkojnë përtej
kufijve që kishte vënë koha. Mes tyre edhe
materiale fotografike, por që për fat të keq
janë dëmtuar nga një përmbytje që kishte
ndodhur në shtëpinë e gjyshit të saj. "Ka
disa foto, por janë të ruajtura keq. Ka qenë
një periudhë kur bodrumi u përmbyt dhe
gjithçka që ishin në arka, foto, gjëra të ilustruara,
ishin më të ndjeshme ndaj
lagështirës. Edhe foton e Kongresit të
Manastirit, im at ma ka treguar nga të tjera
burime. Ndërsa ato të shtëpisë tonë, mes
të cilave edhe fotografi të gjyshit, kur është
diplomuar e më vonë, janë gjithë njolla",
thekson e bija e Aleks Budës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›