Zjarr në Krastë, digjen 1 ha me pisha
ELBASAN Një vatër zjarri ka shpërthyer dje afër mesditës në Krastë të Elbasanit, në afërsi të fshatit Mengël. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe pisha dhe i janë afruar ndjeshëm banesave dhe një reparti ushtarak aty pranë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar reparti i zjarrfikëses, policia, punonjës të shërbimit pyjor dhe banorë të zonës. Më pas, me ndërmjetësimin e prefektit Shefqet Deliallisi te Shtabi i Forcave të Armatosura, është kërkuar që në operacion të futen edhe dy zjarrfikëse të ushtrisë. Terreni i thyer ka vështirësuar ndërhyrjen e zjarrfikseve dhe vapa e era kanë qenë në favor të zjarrit. Me gjithë terrenin e vështirë, zjarrfikëset dhe banorët kanë mundur të lokalizojnë dhe të shmangin përhapjen e zjarrit. Në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe grupi hetimor për të përcaktuar shkaqet e këtij zjarri, i cili dëmtoi pyllin me pisha aty pranë. Sipas të dhënave të para, rezulton se shkak për shpërthimin e këtij zjarri mund të ketë qenë hedhja e pakujdesshme e ndonjë cigareje ose edhe barinjtë që ushqejnë bagëtitë në këtë anë. Nga verifikimet e kryera rezulton se janë djegur 1 hektar me pisha dhe mjaft shkurre e pemë dekorative. Policia ka ngritur akuzën e shkatërrimit të pronës me zjarr, por deri më tani nuk ka të ndaluar për këtë rast.
Vera e thatë me mungesë shirash dhe temperaturat e larta kanë favorizuar këto ditë shpërthimin e disa vatra zjarresh në rrethin e Elbasanit. Me gjithë vështirësitë, zjarrfikësit kanë mundur ta përballojnë situatën. F.S.