E Diel, 1 Nëntor 2026

Antikorrupsioni, 110 zyrtarë të administratës në Prokurori



Mijëra denoncime në celularin e Kryeministrit

Çështja e pronësisë, në vend të parë

Mijëra qytetarë gjatë këtij viti kanë denoncuar drejtpërdrejt mjaft akte korruptive që kanë pësuar në kurrizin e tyre dhe këtë e kanë bërë në celularin e Kryeministrit Berisha. Si rezultat i kësaj, rreth 110 zyrtarë të administratës janë dërguar në Prokurori për ndjekje penale. Në Këshillin e Ministrave funksionon edhe një departament i veçantë, Departamenti për Antikorrupsonin, i cili është marrë drejtpërdrejt me denoncimet që kanë ardhur në celularin e Kryeministrit Sali Berisha. Oerd Bylykbashi, drejtuesi i këtij departamenti në qeveri, tha dje se 110 zyrtarë të lartë janë dërguar për ndjekje penale. Ai tha se pritet të ketë edhe kallëzime të tjera. “Janë kallëzuar penalisht në Prokurori rreth 110 zyrtarë”, - tha Bylykbashi. Departamenti i Antikorrupsionit në Këshillin e Ministrave ka analizuar me mijëra mesazhe, të ardhura në celularin e Kryeministrit, telefonatat e ardhura në numrat e vendosur falas për denoncimet, letrat etj. Pasi janë shqyrtuar nga specialistët e këtij departamenti, dosjet e zyrtarëve janë dërguar për ndjekje penale. Drejtori Bylykbashi vendosi në vend të parë të denoncimeve, problemet që vijnë si rezultat i çështjes së pronësisë. Njëkohësisht denoncime të shumta ka pasur edhe në fushën e prokurimeve elektronike. Ai tha se shumica e denoncimeve kanë ardhur për problemet me pronat, si mbivendosja. Bylykbashi tha se në zonën e bregdetit, problemet kanë qenë më të shumta të ngritura nga qytetarët. “Zona e bregdetit si Vlora etj., kanë pasur denoncimet më të shumta”, - tha Bylykbashi. Në Departamentin e Antikorrupsionit kanë ardhur edhe mjaft letra nga qytetarët, të cilët kanë kërkuar të drejtën e tyre për shërbime që u janë mohuar padrejtësisht nga zyrtarë të administratës. Numërohen me mijëra letra denoncuese. Bylykbashi tha se të gjitha letrat apo denoncimet që vijnë, shqyrtohen nga departamenti. Ndërkaq gjatë vitit 2008 ka pasur edhe një numër reformash administrative për shkurtimin e burokracive nga ana e administratës. Pagimi i taksave online, hapja e biznesit në një zyrë të vetme, prokurimet elektronike, kanë ngushtuar mundësinë për abuzime nga ana e administratës. Gjatë vitit 2008, u nënshkrua edhe faza e dytë e programit “Sfida e Mijëvjeçarit”, prej 16 milionë dollarësh të financuar nga qeveria e SHBA-ve, të cilat do të destinohen në shkurtimin e mëtejshëm të burokracive. Synimi strategjik i kësaj marrëveshjeje është përdorimi i kësaj shume për uljen e korrupsionit, fuqizimin e shtetit ligjor dhe përmirësimin e lirisë ekonomike në Shqipëri. Angazhimi i qeverisë në marrëveshjen me SHBA-në është që prej përdorimit të shumës 16 milionë dollarë, perceptimi i publikut për sistemin gjyqësor të përmirësohet nga 40 % në vitin 2008, në 55 % në 2010. Për të ardhurat tatimore në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto ose GDP, angazhimi është që ato të rriten nga 23.6 % në 28 %, ndërsa renditja e Shqipërisë në listën e vendeve për pagimin e tatim-taksave të përmirësohet nga vendi i 118-të në atë të 75-të. Qeveria është angazhuar gjithashtu të reduktojë kohëzgjatjen mesatare të miratimit të licencës nga 331 ditë, në më pak se 120 ditë, ndërsa numrin mesatar të fazave të miratimit të licencës ta ulë nga 24 në më pak se 10 ditë. Njëkohësisht me kohëzgjatjen e miratimit të lejeve të ndërtimit, qeveria po redukton që një leje të jepet në 30 ditë nga 331 ditë që ka qenë, ndërsa numri i procedurave për miratimin e lejes së ndërtimit të reduktohet nga 24 në 4 ditë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›