Zef Simoni: Komunistët të kërkojnë falje për krimet
Ipeshkvi i Kishës Katolike të Shkodrës kërkon hapjen e dosjeve
“Duhet ecur para dhe kështu ecet kur nuk njihet e vërteta”
Ipeshkvi i Kishës Katolike të Shkodrës, Zef Simoni, reagoi dje duke kërkuar hapjen e dosjeve të periudhës komuniste në Shqipëri. Në moshën 80-vjeçare, Zef Simoni, një nga të përndjekurit e sistemit komunist tha dje se shqiptarët ende nuk janë përballur me të vërtetën. Kreu u Kishës Katolike në Shkodër u shpreh se vendi nuk mund të ecë para në rast se nuk njihet e vërteta, që sipas tij, ende po vonon të dalë. Ai bëri thirrje edhe për falje dhe vuri në dukje se komunistët nuk e kanë bërë një gjë të tillë ende. Sipas tij, është e patolerueshme që në zyrat e shtetit mund të shohësh zyrtarë të së kaluarës komuniste. “Duhet ecur para dhe kështu ecet kur nuk njihet e vërteta”, - tha Ipeshkvi i Shkodrës, Zef Simoni. I persekutuar me vite në sistemin komunist, prifti katolik e sheh atë periudhë më të egrën që ka njohur vendi. Sipas tij, shqiptarët mbijetuan 5 shekuj nga pushtimi turk, por sistemi komunist dhunoi shumë herë më shumë shqiptarët seç arriti të bëjë perandoria otomane në Shqipëria. Ipeshkvi Zef Simoni e sheh sistemin komunist në Shqipëri si një pushtim. “Shqipëria ka pasur dy pushtime. Ne kemi vuajtur prej turkut 500 vjet dhe pastaj 50 vjet me komunizmin”, - tha ai. Kreu i Kishës Katolike të Shkodës kujtoi edhe krimet që sistemi komunist kreu mbi klerin katolik. Kleri katolik shihej nga sistemi komunist si sfidë për pushtetin absolut. Duke parë që tradicionalisht kleri ishte një nga tempujt e kulturës dhe dijes, diktatori Enver Hoxha vuri në vend të parë të persekutimit klerin katolik. Sipas dokumenteve të zbuluara së fundmi, në udhëzimet e tij, diktatori Hoxha theksonte se kleri katolik në veçanti duhej zhdukur me të gjitha mënyrat. Dija, kultura që kishte kleri katolik u pa si sfiduese nga Hoxha, i cili torturoi dhe vrau me qindra priftërinj shqiptarë. Një pjesë të së vërtetës që kërkon të zbulohet është shkruar edhe në librin e At Zef Pëllumbit, “Rrno për me tregue”. Deklarata e Ipeshkvit të Kishës Katolike të Shkodrës erdhi pas miratimit nga Kuvendi të ligjit për pastërtinë e figurave, ose siç njihet ndryshe si ligji i dosjeve. Aktualisht ky ligj u miratua dhe pritet të nisë funksionimin e tij për përjashtimin nga administrata dhe politika mbetjet e komunizmit. Ligji do të detyrojë administratorët e sistemit të vjetër që të ketë pozita vendimmarrëse në sistemin demokratik. I kontestuar nga ndërkombëtarët, ky ligj u miratua me votat e mazhorancës dhe pritet që të përmbyllë procesin e lustracionit që nuk u mbyll dot përfundimisht në Shqipëri.