E Diel, 1 Nëntor 2026

Antikultura e një vendimi për Kulturën

SITUATA NË MAQEDONI

Në të gjitha institucionet dhe rrethet akademike shqiptare në Maqedoninë fqinje, biseda e ditës është një vendim i Ministres së Kulturës, Elisabeta Kançevska, për të krijuar pranë kësaj ministrie një trupë këshilltarësh të zgjedhur prej saj, të cilët, me një mandat katërvjeçar, do të drejtojnë punët e kulturës në atë vend.

Trupa është pagëzuar me emrin “Këshilli Drejtues i Kulturës” dhe përbëhet nga 13 anëtarë. Aty bëjnë pjesë akademikë, drejtues të teatrit në Shkup, arkitektë, shkrimtarë, balerina, kritikë filmi, arkeologë, një prift e deri tek orkestra e xhazit. Por, asnjë nuk është shqiptar.

Ndonëse në Maqedoni ka me shumicë akademikë, shkrimtarë, regjizorë, studiues të artit shqiptarë, znj.Kançevska, ka bërë një përzgjedhje radikale, duke i bërë “punët e kulturës” së Maqedonisë, një ekskluzivitet të vetëm një pjese të popullatës së këtij vendi.

Në qarqet akademike thuhet, gjithashtu, edhe që, shqetësimit për mospraninë e shqiptarëve në këtë grup këshilltarësh, znj.Kancevska, t’i jetë përgjigjur me një “nuk më duhen këshilla nga shqiptarët”.

Shqiptarët janë kategori shtet-formuese e Maqedonisë dhe vendime të bazuara në mentalitete kaq radikale, janë dukur pjesë e së shkuarës. Por, mesa duket, Maqedonia, ka ende rrugë për të bërë në këtë drejtim.

Pa përmendur faktin që ky Këshill dhe statusi i tij nuk gjen mbështetje në ligjin maqedonas për kulturën, vlen të theksohen pjesë nga revolta e akademikëve shqiptarë të Maqedonisë. Sipas tyre, një anashkalim i tillë ekstrem i shqiptarëve nuk ka ndodhur as në periudhën e komunizmit.

Pjesa maqedonase e Maqedonisë, ndoshta ende nuk ka kuptuar se nuk mjafton ndonjë sjellje apo pjesëmarrje e përciptë, për të realizuar integrimin e shqiptarëve në vendimmarrje. Hapja e ndonjë muzeu, arnimi i një rruge apo përurimi i ndonjë shkolle të vogël, janë shumë pak.

Shqiptarët janë lënë në hije edhe në festimet e 100-vjetorit të Alfabetit që do të kryhen pas pak ditësh në Manastir. Shoqata e historianëve shqiptarë në Maqedoni nuk është ftuar të marrë pjesë!

Akademikët shqiptarë nuk mundet të vazhdojnë të mbahen prapa dyerve të institucioneve kryesore të kulturës maqedonase. Këto veprime, jo vetëm që nuk i shërbejnë bashkëjetesës midis nacionaliteteve, por janë padyshim gjeste të papjekura që akumulohen dhe krijojnë kosto. Dhe këto kosto Maqedonia i ka provuar në konfliktin e vitit 2001.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›