Raporti i BE-së: Shqipëria larg liberalizimit të vizave
Në përmbajtjen e raportit radhiten elemente të rëndësishëm, që duhen përmbushur me qëllim integrimin e Shqipërisë në BE, duke nisur nga nevoja për dialog politik e deri tek lufta kundër korrupsionit. Në raport vlerësohet se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet sfide madhore. Më konkretisht në progres-raport citohet se korrupsioni mbetet i shtrirë gjerësisht dhe përbën një problem shumë serioz, ashtu si edhe lufta kundër krimit të organizuar. Raporti shton se lufta ndaj korrupsionit në sistemin gjyqësor mbetet çështje kyçe dhe apelon me tej për hetim tërësor të ngjarjes së Gërdecit. Shqipëria ka mungesë të një infrastrukture gjyqësore, thotë raporti, duke theksuar se “mungon një reformë strategjike për sistemin e drejtësisë”. Në raportin e Brukselit që pritet të publikohet zyrtarisht vetëm në datën 5 Nëntor thuhet gjithashtu se ka pasur vetëm një progres të limituar në parandalimin e pastrimit të parave, si dhe në luftën kundër trafikut të drogës i cili “mbetet një problem serioz”.
Sipas raportit, Shqipëria ka nevojë të ndërmarrë përpjekje të mëdha për të vendosur një shërbim civil të pavarur dhe eficent. Raporti ndalet në veçanti edhe tek transparenca e financimeve të partive. Shqipëria ka bërë progres në legjislacion, në polici me standardet europiane dhe në implementinin e marrëveshjes interim, sidoqoftë në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, vendi ka bërë një progres “jo të barabartë” ndaj Komisioni Europian e konsideron se është e nevojshme një përmirësim tërësor. Së fundmi, thuhet se Shqipëria po merr pjesë në dialogun mbi liberalizimin e regjimit të vizave, por raporti citon se Shqipëria ende nuk ka arritur standardet e Bashkimit Europian përsa i përket regjimit te vizave. Në këtë kuadër BE rekomandon Shqipërinë të fillojë shpërndarjen e pasaportave biometrike.