E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni i ilustruar

Shpesh ne ndeshemi me konceptin e korrupsionit dhe me mënyrën si përdoret, akoma më shpesh, si top futbolli nga ata që lidhen me të, për mirë a për keq.

Korrupsioni politik është përdorimi i fuqive qeverisëse nga zyrtarë qeveritarë për përfitime private të jashtëligjshme. Thënë këtë, është më e lehtë të shikohet përtej tymnajës që gjithë mekanizmi qeveritar i aparatit kryeministror ka ngritur mbi konceptin e abuzuar tashmë të korrupsionit.

Sa herë që në opinion qytetar ngrihet sërish diskutimi mbi korrupsionin galopant në Shqipëri, makina qeveritare dhe sidomos kryeministri përpiqen ta hedhin topin në çfarëdo lloj fushe tjetër përveç se ta luajnë në të tyren. Qeveria eviton të flasë për korrupsionin qeveritar, sepse është tërësisht e humbur në betejën mediatike që me aq mund ngre para syve tanë çdo ditë.

Është lojë e vjetër e qeverisjes, ardhur nga karrigia e kryeminstrit, që të hutojë dhe manipulojë opinion publik mbarëkombetar me përrallat mbi gogolin “Korrupsion”. Lëvizje të tipit off-sight në futbollin politik të mazhorancës fillojnë që me inskenimet që nga “Mafia e Miellit”, “Media Kriminale” e deri duke kaluar në banialitete mbi mitmarrje të ndonjë polici pa kapele në trafikun rrugor.

Është koha që të kërkojmë të vërtetojmë, dhe në publik, se korrupsioni qeverisës është një tjetër “kafshë” nga ajo që përpiqet të fshehë “iluzionisti” në kapelen kryeministrore. Sot, është koha, që qartë dhe pa tym të prezantohet se çfarë ka për kuptim baza koncepti, shpesh i abuzuar me qëllim, i korrupsionit.

Korrupsioni ka 3 dimensione, sipas koncepteve të pranuara botërisht, dhe që e ulin atë nga lartësitë abstrakte dhe shpesh qesharake ku e degdis administrata e sinkronizuar kryeministrore:

Efekt mbi Politikën, Administratën dhe Institucionet

Pikësëpari, efektet korruptive shtrembërojnë keq realitetin politik, duke sjellë distorsion në sistemin elektoral, administrativ, institucional e në të gjithë mekanizmat që mbajnë një shtet në lëvizje. Këto mekanizma janë shpesh shtetëror, të pavarur, mediatikë, por edhe civilë. Korrupsioni kërcënon demokracinë dhe qeverisjen e drejtë duke ndryshuar procese formale dhe legjitime brenda shtetit. Korrupsioni ndikon në zgjedhje, në shtetin ligjor dhe në përgjegjësinë e administratës për të shërbyer sa më korrektësisht dhe për të mos thyer apo abuzuar me ligjet e shtetit.

Qytetari e ndjen arrogancën korruptive në çdo derë të pushtetit apo banak të shërbimeve për të cilat paguan përditë, jo vetëm me taksat e tij, por dhe me para që duhet të nxjerrë nga xhepi sa herë kërkon një shërbim që me kushtetutë e ka të drejtë legjitime.

Efekt Ekonomik.

Korrupsioni dëmton rëndë zhvillimin normal ekonomik të një vendi. Në sektorin privat korrupsioni mund të bëhet pengesë për një klimë normale biznesi dhe të pengojë aftësitë tregtare dhe prodhuese të çdo firme që nuk i jepet rregullave të korrupsionit. Nëpërmejt pengesave dhe vështirësive që i nxjerr biznesit, Korruspioni rrit artificialisht çmimet dhe ul ndjeshëm fuqinë blerëse tëblerësve në treg. Ky është një nga rastet tipike në Shqipëri. Korrupsioni favorizon biznesin që është më afër pushtetarëve dhe përfitimeve të tyre ekonomike. Jemi dëshmimtarë të një kohe kur, çmimet e kontrolluara nga monopole qeveritare, ngrihen përditë në lartësi të papërballueshme më nga konsumatori i thjeshtë shqiptar. Të gjithë shohim ndikime të forta politike në çmimet e ushqimeve, të naftës, të produkteve bujqësore, produkteve të ndërtimit etj. Sot kemi një administratë të inkriminuar dhe të paaftë fiskale që ndikon dhe përfiton nga tregu i abuzuar në kurriz të blerësve shqiptarë.

Efekte Sociale dhe Mjedisore.

Korrupsioni mundëson shkatërrimin mjedisor. Ndonëse mund të ekzistojë legjislacioni i duhur, mjedisi dhe natyra janë pre e lehtë e korrupsionit. Këtu jemi dëshmitarë të gjithë bashkë: pyjet e prera, lumejtë e gërryer, ajri i ndotur me goma të djegura makinash, kodrat e ngrëna nga babëzia, ujërat e ndotur nga pisllëku, plëhrat e pafund në çdo cep dhe shumë dukuri të shëmtuara të përdhunimit sistematik mbi natyrën tonë të përbashkët.

E njëjta masë mbi korrupsionin vlen dhe për të drejtat shoqërore si, punësimi, mbrojtja në punë dhe puna e të miturve. Në vende ku korrupsioni është i lartë, shfrytëzimi i punës së pakualifikuar është normë. Këtë e kemi përjetuar në raste të përditshme, por edhe në raste fatkeqe: e shohim në punishte ku ka fëmijë, por e pamë dhe të filmuar në rastin e punishtes vrastare të Gërdecit. Të gjitha arsyet dhe klasifikimet që i renditëm më sipër kanë një foto ilusturese, një foto që do të mbetet në kujtesën kolektive të çdo shqiptari në këtë gjeneratë.

Dhe kush mund të thotë se fenomeni “Gërdec” nuk është ilustrim i Korrupsionit shtetëror, atëherë ai ose është delirant patologjik dhe i pandreqshëm, ose arkitekti i vetë dukurisë qeë vret, ose nuk flet shqip.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›