E Diel, 1 Nëntor 2026

"Lidhja e Shkëlzen Berishës me Gërdecin"

Deputetët e PS-së, Tauland Balla dhe Erion Braçe, folën dje për ekzistencën e korrespondencës së Bumçit me Shkëlzen Berishën

TIRANË - Tragjedia e Gërdecit dhe trafiku i armëve janë të lidhura ngushtë me familjarët e kryeministrit Sali Berisha. Ky është të paktën pretendimi i opozitës, e cila, megjithëse ka kaluar një kohë e gjatë që nga dita kur ndodhi ajo tragjedi, vijon të sjellë për publikun fakte që vërtetojnë lidhjen direkte të djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha, me tregtinë e fishekëve drejt Afganistanit. Por, ndryshe nga sa kemi parë deri më tani, në këtë skandal është përfshirë, përveç ministrit aktual të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili nga faktet e publikuara së fundi nga media rezulton të jetë kujdesur për përgatitjen e dokumentit ligjor për lejimin e demontimit të armëve në Gërdec, edhe paraardhësi i tij në këtë post, Aldo Bumçi, për të cilin duket se ekzistojnë prova shkresore që e implikojnë atë në një korrespondencë direkte me Shkëlzen Berishën, në lidhje me këtë aktivitet.

Balla

Ka qenë deputeti socialist, Tauland Balla, ai që ka zbuluar dje një fakt të tillë, i cili për hir të së vërtetës, ka kohë që qarkullon ndërmjet politikanëve dhe medias, por që deri më tani nuk ishte bërë publik. I provokuar nga fjala dhe sulmet që bëri në drejtim të opozitës, ish-ministri Bumçi, gjatë fjalës së tij në diskutimet e lira në seancën e djeshme parlamentare, Balla e ka akuzuar atë se, gjatë kohës që ka qenë ish-ministër Drejtësie, ka mbajtur në korent me informacione zyrtare dhe konfidenciale një person me emrin Shkëlzen, por pa ia përmendur mbiemrin, për çdo hap ligjor që ndërmerrej për hapjen e aktivitetit në Gërdec. “Aldo Bumçi nuk duhet të flasë për drejtësinë, sepse ky njeri ka konflikt të pastër interesi me drejtësinë. Së pari, ai ka qenë ministër drejtësie, por për të nuk mbahet mend asgjë të ketë bërë për reformimin e sistemit të drejtësisë. Së dyti, ky ish-ministër, është në hetim për një shkresë zyrtare të drejtuar një farë Shkëlzeni. Zoti Bumçi duhet të sqarojë këtu kush është ky Shkëlzen? As në Ministri të Mbrojtjes e as në Këshill të Ministrave, nuk ka ndonjë punonjës me emrin Shkëlzen. Sqaro këtu, kush është ky Shkëlzeni!!!”, - deklaroi Balla, gjatë fjalës së tij.

Braçe

Argumentin që solli Balla e ka vijuar më pas nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, i cili është përpjekur të sqarojë për deputetët e pranishëm në sallë, por edhe për median se, personi të cilit ish-ministri i Drejtësisë i niste dokumentacionin e prodhuar nga kjo ministri për Gërdecin, ishte djali i kryeministri, Shkëlzen Berisha. Ai ka bërë të ditur se disponon dokumente origjinale, të cilat vërtetojnë se, Bumçi, gjatë kohës që ka mbajtur postin e Ministrit të Drejtësisë, në të gjitha korrespondencat që mbante me institucionet paralele apo të varësisë, vinte në kokën e çdo dokumenti shënimin “për dijeni dhe Shkëlzenit”. “Dokumenti që përmendi zoti Balla tashmë qarkullon si kartolinë në të gjitha ambientet politike dhe publike të Tiranës dhe nuk bën këtu një element, apo person të paidentifikuar. Nuk bëhet fjalë as për malin e Shkëlzenit, por bën fjalë për një njeri me emër dhe mbiemër, madje mbiemri i tij është i njëjtin bukurshkrim si emri dhe është në emrin Shkëlzen Berisha dhe është te koka e tij dokumenti. Besoj se do ta keni publikisht këtë, ju thashë në formë materiale, qarkullon si ato videot porno nëpër celularët e kalamajve”, - tha Braçe por pa bërë publik dokumentin të cilit iu referua. Burime pranë selisë rozë konfirmojnë se pritet që ky dokument të bëhet publik gjatë seancës së ditës së hënë kur dhe pritet të mbahet dhe mocioni me debat me kryeministrin Berisha. Por kundrejt këtyre qëndrimeve, Bumci nuk ka kthyer përgjigje konkrete. 

Prokuroria e Përgjithshme zbuloi në zyrat e MEICO-s se përfaqësues i SAC ishte Rrahman Selmanllari

Lidhja e mikut të Shkëlzen Berishës me Gërdecin

TIRANË- Emri i Rrahman Selmanllarit, biznesmen dhe mik i djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha, nuk është lakuar vetëm për trafikun e fishekëve drejt Afganistanit, por edhe për fabrikën e vdekjes në Gërdec. Kohë më parë, gjatë kontrolleve në zyrën e MEICO-s, përfaqësuesit e prokurorisë kanë sekuestruar një autorizim në emër të Selmanllarit, ku i ngarkohej të kthente ish-repartin e tankeve në një fabrikë demontimi municionesh në Gërdec. Kompania amerikane “Southern Ammunition Company”, ose e njohur si SAC, me president Patrick C. Henry IIIpërfaqësohej në Shqipëri nga miku i ngushtë i djalit të kryeministrit, biznesmenit “në hije”, Rrahman Selmanllari. Ky lajm është konfirmuar pak kohë më parë nga Prokuroria, që për shtatë muaj po punon për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.“Nga hetimet e kryera deri tani dhe nga sekuestrimi i një sërë dokumentesh që ndodheshin në sirtarët e zyrave të MEICO-s dhe kompanisë “Albademil” është gjetur dhe administruar në dosje një autorizim i kompanisë amerikane SAC, e cila nën firmën e presidentit të kësaj kompanie, Patrick C. Henry III, autorizonte Rrahman Selmanllarin si përfaqësues të saj në Shqipëri”,-bëjnë me dije burimet e Prokurorisë së Përgjithshme. Në autorizimin e firmosur nga presidenti i SAC-it,Henry, përfaqësuesi Selmanllari, i njohur si miku i ngushtë i djalit të kryeministrit kishte të gjitha të drejtat për zbatimin e drejtë të kontratës mes kompanisë SAC dhe “Albademil” me president Mihal Delijorgjin, në lidhje me çmontimin e municioneve të lehta, duke u bazuar në kontratën e parë të firmosur qershorin e vitit 2007 mes MEICO-s dhe SAC-it.

SHKELJET

VKM-ja, akt-akuza për ish-ministrin Mediu

Ish- ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të realizuar synimin e tij, ka iniciuar hartimin dhe miratuar disa akte nënligjore. Ai ka iniciuar një projekt-vendim të Këshillit të Ministrave dhe ka miratuar projekt-urdhra, të cilët kanë orientuar realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municionit në përmbushje të ofertës të sipërpërmendur të shoqërisë amerikane SAC, prapa të cilës ishte shoqëria ALBADEMIL shpk, duke angazhuar për hartimin e tyre një pjesë të stafit të ngushtë të tij. Në këtë proces administrativ, z. Mediu ka pranuar dhe miratuar disa projekt-urdhra, duke shmangur përfshirjen e strukturave dhe hallkave të domosdoshme që duhet të ishin pjesë e hartimit të tyre. Kjo provohet:

Së pari, me iniciimin, në datë 12. 2. 2007, për miratim të projekt-vendimit të KM me titull "Për procedurën e çmontimit, çmilitarizimit dhe tjetërsimit të një sasie municionesh të Forcave të Armatosura (FA), të dala nga armatimi e përdorimi me shoqërinë amerikane SAC". Ky projekt vendim nuk është miratuar nga qeveria, për shkak të mungesës së përqasjes së tij me ligjin aktual, si dhe për përfshirjen drejtpërdrejt në këtë projekt-vendim të KM të kompanisë amerikane SAC.

Së dyti, më pas, me shkresën nr. 1525, datë 14. 03 2007, ish-ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, ka ridërguar për shqyrtim e miratim projekt-vendimin, i cili po atë datë është shqyrtuar dhe miratuar nga qeveria, duke u kthyer në vendim të KM nr. 138, datë 14. 03. 2007, me të njëjtin titull që ishte propozuar. Siç do të analizohet në vijim të kësaj kërkese, ndonëse në këtë vendim të KM nuk është përmendur drejtpërdrejt kompania amerikane SAC, në formulimin e pikës "IV/1" të projektvendimit të miratuar është parashikuar që shitja për çmontim dhe çmilitarizim të municioneve të bëhet për municione të kalibrit të vogël, ashtu siç ishte parashtruar oferta e kompanisë amerikane, SAC.

Megjithëse në vendimin e KM nuk është rregulluar mënyra e përzgjedhjes së kontraktorit për shitjen e municioneve për çmontim dhe çmilitarizim, në pikën 1 të urdherit nr. 550, është nominuar drejtpërdrejt kompania amerikane SAC për realizimin e këtij procesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›