E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antimafia, 10 dosje para kontrollit të KE



Trazhgim Sokolaj

Prokuroria shqiptare po heton dhjetë dosje bazuar në ligjin Anfimafia për konfiskimin e pasurive të grupeve kriminale ndërkohë që në javën e parë të muajit korrik, ekspertët e Komisionit Europian do të vijnë në Tiranë për të monitoruar Shqipërinë. Goditja dhe bllokimi i pasurive të bandave kriminale ishte një nga “detyrat e shtëpisë” që iu la Shqipërisë pas rekomandimit për heqjen e vizave, megjithatë hartimi dhe hyrja e vonuar në fuqi e ligjit Antimafia, duket se është bërë shkak që ekspertët e KE-së të gjejnë në Tiranë një numër të reduktuar rastesh në hetim. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, nga 25 janari 2010, kohë kur ligji Antimafia hyri në fuqi deri në fundin e muajit maj, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë regjistruar dhjetë procedime të bazuara në ligjin Antimafia, për bllokimin e pasurive të grupeve kriminale. Krahasuar me një vit më parë, ky duket një përparim i dukshëm megjithatë nuk është e qartë se si do të komentohet kjo shifër nga ekspertët e KE-së. Gjatë vitit 2009, numri i kërkesave për konfiskimin e pasurisë u reduktua në vetëm gjashtë raste, pesë nga të cilat u rrëzuan nga togat e zeza, për shkak të një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë, të janarit 2007 që bllokoi praktikën e krijuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila nga viti 2005 kishte bllokuar çdo vit nga 5 deri në 9 milionë euro prona të krimit bazuar në ligjin Antimafia të shtatorit 2004. Ky ligj u nxor jashtë loje nga Gjykata e Lartë në janar 2007, e cila me vendim unifikues u shpreh se Prokuroria mund t’i bllokonte pasurinë anëtarëve të bandave vetëm nëse provohej se pronat ishin vendosur pas nisjes së procedimit penal dhe arrestimit të personit. Prokuroria u detyrua të zbatojë vendimin e Gjykatës duke u ballafaquar me faktin se të arrestuarit e bandave kriminale nuk kishin sesi të krijonin pasuri pasi arrestoheshin. Për këtë shkak, pas vitit 2007 numri i kërkesave për konfiskimin e pronave të krimit ra ndjeshëm. Ndërkohë me hyrjen në fuqi të ligjit të ri Antimafia, më 25 janar 2010, shifrat duket se kanë ndryshuar, pasi ky ligj nuk e lidh konfiskimin e pasurisë detyrimisht me ekzistencën e procedimit penal. Sipas ligjit, hetimi pasuror mund të fillojë bazuar në indiciet se personi ka të ardhura kriminale. Burime të Prokurorisë thonë se ka pasur më shumë se 25 referime rastesh nga policia ndërkohë që në dhjetë raste është vendosur të fillojë procedimi. Për dy nga këto dhjetë raste, për të pandehur të “bandës së Durrësit” dhe “bandës së Lushnjës”, bazuar në kërkesat e Prokurorisë, Gjykata ka vendosur sekuestrimin e pasurive. Ligji i 25 janarit 2010 shtoi edhe kategorinë e veprave penale për të cilat ai zbatohet duke futur në listë edhe personat e arrestuar për “shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese”, “pastrim të Produkteve të veprës penale” dhe “prodhim dhe mbajtje të narkotikëve”.

Pronat e sekuestruara

Truall + ndërtesë, me sipërfaqe 200 m2, Lushnjë
Apartament banimi me sipërfaqe 132.95 m2, Tiranë
Lokal “Pastiçeri” me sipërfaqe 108 m2, Lushnjë
Truall me sipërfaqe prej 1500 m2, Durrës
Pronë truall me sipërfaqe 500 m2, Durrës
Llogari bankare në shumën 1 148. Euro,
2(dy) depozita kursimi në shumën 1 946 267 lekë
Autoveturë, MITSUBISHI-PAJERO, i vitit 1999
Kamion, SAURER, prodhim i vitit 1982,
Autoveturë, marka BENZ, i vitit 1989
Autoveturës tip Benz,
Autoveturës tip Transit, marka Ford, i vitit 1996,
Autoveturë tip Benz 124 (300 TD), i vitit 1991
Motorçikletë YAMAHA, prodhim i vitit 2002

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›