Meta e Prifti, me fasonët:Do t’ju falim kamatëvonesat
nertila maho
Biznesi fason i vlerësuar si një nga grupet që gjeneron më shumë punësim ka marrë dje mbështetjen e plotë të ministrit Dritan Prifti, për zgjidhjen e problematikave që shqetësojnë këtë kategori. Gjatë një takimi të organizuar mes kreut të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe përfaqësuesve të biznesit fason morën pjesë edhe zvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta. Numri dy i Qeverisë së bashku me ministrin Prifti premtuan prezantimin para ekzekutivit të problematikave të fasonistëve si dhe lehtësime të mundshme për ta. Takimi mori trajtën e një debati të hapur ku në pah dolën disa nga çështjet që shqetësojnë më shumë fasonistët si rimbursimi i TVSH-së, taksat që paguhen për importimin e makinerive dhe pajisjeve, dhe ato për eksportet. “Disa prej këtyre çështjeve, janë të zgjidhshme dhe do të jenë ndihmë për zhvillimin e biznesit fason në vendin tonë. Ajo që mund të bëhet është edhe falja e kamatëvonesave për pagesat e vonuara të biznesit fason, por ky propozim do të diskutohet me ministrinë e Financave”, premtoi ministri Prifti. Ndërkohë duke u ndalur tek problemet e likuiditetit që has sot biznesi kreu i Ekonomisë riktheu vëmendjen tek fondi i ekzekutivit për biznesin. “Qeveria këtë vit ka në dispozicion një fond prej 10 milionë eurosh, i cili do të përqendrohet kryesisht në mbështetje të bizneseve që gjenerojnë punësim, ku përfshihet dhe biznesi fason. Ky fond ka një limit për kreditë e buta që mund t’i jepen biznesit, deri në 500 mijë euro, ku përqindja shkon deri në 3 për qind”, tha Prifti. Një tjetër premtim i ministrit ishte ajo që lidhej me mbështetjen e fasonistëve në sigurimin e tregjeve të reja çka do të krijojë më shumë mundësi për biznesin. “Do ndërmarr një fushatë të madhe ndërgjegjësimi për partnerët tanë europianë, që shoqatat e tyre të tekstileve apo shoqatat e prodhuesve të veshjeve t’i kthejnë sytë nga Shqipëria. Kam qenë në Francë e Gjermani, ku fola për avantazhet e Shqipërisë, për biznesin fason dhe gjeta interes” informoi ministri. Ai e mbylli takimin me një sërë premtimesh dhe së bashku me zëvendëskryeministrin garantuan tejçimin e shqetësimeve të biznesit fason në Qeveri. Gjatë fushatës së zgjedhjeve të vitit të kaluar fasonistët kanë qenë një ndër grupet më të lakuara nga LSI të përfshira edhe në program. Për të qenë më në koherencë me çdo problematikë, por dhe për të pasur një debat të hapur ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës propozoi që me përfaqësuesit e biznesit fason të takohet çdo tre muaj.