E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kavajë, mbyllet pa hetim dosja e pastrimit të parave



TIRANE – Raporti i kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë zbulon pushimin e një dosje penale për pastrim parash në Prokurorinë e Kavajës, e cila sipas kontrollit nuk ka kryer hetime të plota mbi këtë rast të rëndë. Sipas raport-kontrollit të zhvilluar në Prokurorinë e Kavajës, një kopje e të cilit është dorëzuar edhe në Parlament nga Ministri i Drejtësisë, Prokuroria e Kavajës ka vendosur në mënyrë të padrejtë pushimin e hetimeve për një dosje të vitit 2007, për akuzën e pastrimit të parave. Kontrolli i Ministrisë për këtë dosje, filloi bazuar në ankesën e shtetasit me iniciale S.P kundër Prokurorisë së Kavajës. Gjatë kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë, rezultoi se Prokuroria e Kavajës e kishte regjistruar dosjen në hetim më 25 janar 2007, bazuar në materialin e referuar nga policia e Tiranës për akuzën “pastrimi i produkteve të veprës penale”. Në raport-kontroll, thuhet se pas përfundimit të hetimeve, në datën 10 mars 2008, prokurori i çështjes në Kavajë ka vendosur pushimin e hetimeve për procedimin penal të hapur për pastrim parash. Dy muaj më vonë, i vënë në dijeni të mbylljes së dosjes, Prokurori i rrethit Kavajë, ka vendosur rihapjen e procedimit duke ia ngarkuar hetimin një prokurori tjetër. Por edhe ky prokuror, në mënyrë të njëjtë si kolegu i tij, pas disa veprimeve hetimore formale në fund ka vendosur pushimin e dosjes. “Nga kontrolli ka rezultuar se në datë 6 janar 2009 prokurori i çështjes ka vendosur pushimin e hetimeve”, thuhet në akt-kontrollin e Ministrisë së Drejtësisë. Sipas këtij kontrolli, ka rezultuar se në dosjen penale është gjetur vetëm procesverbali i pyetjes së shtetasit me iniciale A.Bi thirrur në datën 9 qershor 2008. Ministria vë në dukje se nga data e marrjes në pyetje të personit deri në momentin e vendosjes së pushimit të hetimeve, për plot gjashtë muaj, Prokuroria e Kavajës nuk ka kryer asnjë veprim hetimor me dosjen por në fund ka vendosur mbylljen e saj. Prokurori është justifikuar me një letër-porosi të dërguar në Britani lidhur me çështjen, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë thekson se e ka përcjellë letër-porosinë edhe pse prokurori në 6 muaj nuk ka bërë asnjë kujtesë për ekzekutimin e saj. “Vendimi për pushimin e dosjes në datë 6 janar 2009, nuk është rrjedhojë e një hetimi të saktë e të gjithanshëm”, thuhet në raportin e kontrollit të Ministrisë e cila i ka propozuar Prokurores së Përgjithshme të marrë masë ndëshkimore ndaj prokurorëve që kanë hetuar dosjen në fjalë. Pasi është njohur me aktin e kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme menjëherë ka tërhequr dosjen nga Prokuroria e Kavajës për shqyrtimin e saj. Në një përgjigje dërguar Ministrisë së Drejtësisë, Prokuroria e përgjithshme shprehet: Nga studimi i dosjes rezultoi se pushimi i procedimit nga Prokuroria e Kavajës, është vendosur pa u kryer të gjitha hetimet e nevojshme dhe të domosdoshme. Për këto arsye u vendos shfuqizimi i vendimit të pushimit të hetimeve dhe u urdhërua kryerja e veprimeve hetimore për zgjidhjen përfundimtare të çështjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›