Hilari uron Mbretëreshën 7 ditë para
Që të jesh Mbret do të thotë, mes privilegjeve të tjera, të zgjedhësh vetë edhe ditëlindjen, çdo vit ndryshe. Por këtë vit, sekretarja amerikane e shtetit Hilari Klinton, e ka mësuar gabim festën e ditëlindjes së Mbretëreshës Elisabeta këtë vit, duke ia dërguar telegramin e urimit një javë para. Telegrami ishte dërguar në emër të Presidentit amerikan, Barak Obama dhe popullit amerikan. Departamenti i Shtetit në SHBA e ka pranuar gafën, duke kërkuar falje për të. “Ishim një javë para kohe, por më mirë një javë para se një javë me vonesë”, ka deklaruar zëdhënësi, P.J. Kroulej. Në Londër, Pallati Bakingam ka bërë të ditur se ishte në njohuri të këtij gabimi, por nuk i janë referuar kërkesës për falje që bëri Departamenti amerikan. “Me sa duket bëhet fjalë për ndonjë gabim të bërë pa të keq, nuk e konsiderojmë fyes”, tha një funksionar i Pallatit Bakingam. Edhe pse ditëlindja e Mbretëreshës është më 21 prill, Elisabeta II e feston zyrtarisht ditëlindjen e saj një të shtunë qershori të vendosur nga qeveria; këtë vit u vendos më 12 qershor. Tradita ka nisur që nga koha e Eduardit VII, i cili kishte lindur në nëntor, por kishte vendosur ta festonte gjithnjë ditëlindjen e tij gjatë verës.