E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet arkëtarja, vodhi 12.5 milionë lekë nga banka



LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA

Arkëtarja e një banke private në Lushnjë grabit nga klientët 12.5 milionë lekë. Që nga janari i këtij viti, Ornela Tabaku, vetëm 25 vjeçe, kryente transferta ilegale nga depozitat e parave të subjekteve shtetërore e private, duke i derdhur ato disa ditë me vonesë. Rasti më i fundit u regjistrua të premten, duke tërhequr nga llogaria e Drejtorisë së Rrugëve në Fier mbi 12.5 milionë lekë, për të mos i kthyer më. Vetëm dy ditë para këtij rasti, duke falsifikuar firmën e një qytetari, ajo kishte marrë 5 mijë euro nga llogaria e tij, për t’i arkëtuar të nesërmen. Antikrimi i Fierit ka ndërhyrë, duke i gjetur Tabakut shumën e konsiderueshme të parave. Nuk dihet ende qëllimi i veprimeve të kryera nga e reja dhe fakti nëse ajo do t’i arkëtonte paratë e Drejtorisë së Rrugëve apo do t’i përfitonte personalisht. Policia e Fierit pohoi se janë ende në hetim e sipër të çështjes, bashkë me prokurorinë, pasi dyshohet se dhe të tjerë persona janë të përfshirë në këtë çështje. E reja nga Lushnja punonte prej dy vitesh në filialin e një prej bankave të nivelit të dytë. Policia ka komunikuar zyrtarisht dje se arrestimi i Tabakut u bë se ajo tërhiqte shuma të majme parash nëpërmjet llogarive dhe i rikthente ditë më vonë, pa u mbështetur në asnjë argument ligjor. Janë pesë raste në të cilat janë kryer veprime të paligjshme. Në 3 prej tyre është bërë manovrimi brenda bankës, në një rast është tërhequr cash një shumë prej 3 milionë lekësh dhe në rastin e fundit, kur miliona lekë janë marrë prej saj nga banka pa asnjë mandat. Kanë qenë vetë drejtuesit e bankës, që kërkuan ndihmën e organeve policore për të nisur hetimin, pasi shihnin gjithmonë veprime të çuditshme të punonjëses së bankës. Specialistë të antikrimit ekonomik të Policisë së Fierit nisën hetimin, në bashkëpunim me drejtuesit e bankës ku punonte Tabaku. Pas disa javësh hetimi dhe vëzhgimi është vërtetuar dhe abuzimi: vjedhje masive parash, tërhequr në shuma të ndryshme, data të ndryshme dhe llogari bankare të ndryshme, të cilat sistemoheshin pak ditë më vonë prej 25-vjeçares. Lëvizjet e vazhdueshme në disa llogari bankare kanë ngjallur edhe dyshimet e para, ku janë verifikuar edhe tërheqjet e më pas depozitimet e shumave. Pas gjetjes së këtyre fakteve në sajë të operacionit të koduar “Transferta e fundit”, punonjësja e bankës është vënë në prangat e policisë me akuzat e “vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit”. Ornela Tabaku, me profesion financiere, është prangosur në banesën e saj në Lushnjë në orët e vona të mbrëmjes së të premtes, vetëm pak orë pasi kishte tërhequr shumën e konsiderueshme nga banka. Po hetohet mënyra e transferimit të parave të së resë dhe si ka mundur ajo që të marrë para në dorë, pa firmosur më parë në dokumentet e bankës.

ABUZIMET

30 janar 2010
tërheq nga llogaria e Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor Fier, shumën prej 4 milionë lekësh. E arkëton në llogarinë e saj më 1 shkurt

30 prill 2010
tërheq nga llogaria e Institutit të Sigurimeve Shoqërore Lushnjë 3.111.000 lekë. E arkëton në 3 maj

31 maj 2010
tërheq cash 1 milion lekë nga llogaria e “Tregut Fruta Perime”, Lushnje

3 qershor 2010
ndërhynë në llogarinë e shtetasit me inicialet L.N. duke i tërhequr një shume prej 5 mijë eurosh, i falsifikon firmën dhe e sistemon një ditë më vonë

4 qershor 2010
tërheq nga Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor Fier shumën prej 12.555.700 lekë. Për këtë shumë nuk ka prerë as mandat pagese duke e përvetësuar për vete

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›