E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pendohet Dimraj: Do vazhdojmë me Halilin



Leonard Karaj

Rauf Dimraj i ka hapur sërish rrugë rikthimit të Refik Halili, ndoshta në rolin e presidentit. Vetë Dimraj, ndonëse nuk e konfirmon fjalë për fjalë pohon se në kushtet në të cilat ndodhet Tirana, humbja e “xhepave të Halilit” do ishte një katastrofë.Ndërkohë që në mënyrë indirekte Dimraj ka përgënjeshtruar edhe veten teksa konfirmon se nuk ka pohuar asnjëherë, për asnjë mediat të shkruar edhe vizive që pagesa e 1 milionë dollarëve nga një sponsor i vetëm si dhe qenia e një donatori të vetëm në krye të një klubi, në rastin konkret te Tirana, është e jashtëligjshme. “Nuk kam thënë absolutisht një gjë të tillë. Me gjasa gazetari mund të ketë transformuar ose mund të ketë ndonjë montazhim por unë nuk kam thënë që është e jashtëligjshme që një person i vetëm të mund të japë 1 milionë dollarë dhe se nuk është e ligjshme që një donator i vetëm të mund të sponsorizojë një klub. Natyrisht në konceptin tim gjykoj se është shumë herë më mirë që të kesh më shumë se 1 sponsor pasi do të kishte më shumë siguri, ndaj në rastin konkret them, shyqyr që e kemi Halilin si sponsor të skuadrës së Tiranës”, ka thënë në një prononcim për gazetën “Panorama” shefi i klubit bardheblu.
Ndërkohë i pyetur se çfarë do të ndodhë nga sot e tutje me skuadrën përderisa përfundon edhe ultimatumi i dhënë 5 ditë më parë nga ish-presidenti Refik Halili, Dimraj sygjeroi që një ultimatum i tillë nuk duhej marrë edhe aq seriozisht, duke nënkuptuar se mund të ketë negociata edhe pas ditës së sotme. “Mediat i marrin shumë seriozisht fjalët e njërit apo tjetrit. është e vërtetë që Z.Halili para disa ditësh tha se do të priste vetëm 5 ditë për të marrë një përgjigje por unë mendoj se jo vetëm Halili, por cilido nuk mund t’i vërë kushte ose ultimatume një institucioni sikundër është Bashkia e Tiranës, e cila është pronare e klubit të Tiranës. Ne do të vazhdojmë edhe në ditët në vazhdim për të bërë të pamundurën, për të mbledhur ekipin dhe për tu paraqituar sa më denjësisht në Kupat e Evropës. Tirana është një emër i madh ndaj edhe meriton një vëmendje të madhe e serioze”, ka vazhduar Dimraj. Ndërsa i pyetur mbi zvarritjet për më shumë se 9 vjet, për kthimin e KF Tiranës në Shoqëri Aksionere, ndërkohë që klube të tilla si Laçi e Shkumbini janë një hap larg shndërrimeve në SH.A., Dimraj ia hodhi fajin Këshillit të Ministrave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›