E Diel, 1 Nëntor 2026

Reja mban të paralizuar Europën, kompanitë ajrore testojnë rrezikun

Kaosi Pjesa më e madhe e aeroporteve të kontinentit vazhdon t’i ndalojë fluturimet

Për të katërtën ditë radhazi trafiku ajror në pjesën më të madhe të Europës vazhdon të jetë i bllokuar, duke krijuar kështu një situatë të paprecedentë. Të paktën deri në mesditën e sotme do të qëndrojnë të mbyllura një sërë aeroportesh në vendet kryesore. Rreth 75 për qind e fluturimeve europiane janë ndaluar. Meteorologët mendojnë se për shkak të motit të qëndrueshëm, reja e hirit e shkaktuar prej vullkanit nuk do të ndryshojë shpejt pozicion, megjithatë parashikimet e tyre flasin për një zhvendosje graduale të resë drejt jugperëndimit, pra drejt Mesdheut. Pjesa më e madhe e fluturimeve transatlantike janë anuluar, ashtu si edhe shumica e fluturimeve nga Kina për në Europë. Shumica e vendeve të Europës Qendrore kanë vazhduar të ndalojnë fluturimet, duke mos ditur kohën se kur do të rinisin sërish, megjithatë disa kompani (“Klm”, “Lufthansa”, “Air France”) bënë një sërë testesh provë me fluturime pa pasagjerë për të verifikuar nëse kushtet atmosferike do të ndikonin në sigurinë e avionëve. “Klm” dërgoi një “Boeing 737” në një fluturim 75 minutash, gjatë të cilit avioni shkoi deri në lartësinë 13 mijë metra. Sipas një zëdhënësi të kompanisë, avioni me 20 pasagjerë në bord mbërriti në destinacion pa asnjë dëmtim. Edhe “Lufthansa” kishte bërë të njëjtën gjë, duke transferuar disa nga avionët e saj nga Mynihu në Frankfurt. Avionët kishin mbërritur në vend, duke fluturuar deri në lartësinë 3 mijë metra dhe nuk kishin pësuar dëmtime. Po ashtu edhe testi i “Air France” rezultoi i suksesshëm. Por edhe në Itali situata nuk është më e mirë. Udhëtimet për në veri të Europës nga Italia janë bllokuar ndërsa aeroportet e Torinos, Milanos, Bergamos, Venecias dhe Bolonjës do të qëndrojnë të mbyllur deri mëngjesin e sotëm. Më e mirë paraqitet situata në Gjermani, ku janë hapur 7 nga 16 aeroportet ndërkombëtare. Hapësira ajrore gjermane ishte mbyllur tërësisht që prej të premtes. Sipas agjencisë së sigurimit ajror gjerman, ky vendim u mor në bazë të lëvizjes së resë së hirit. Kroacia ka lejuar fluturimet gjatë gjithë ditës së diel, edhe pse janë anuluar gjithë fluturimet për në Europën Veriore dhe Qendrore. Aeroporti më i madh i vendit, ai i Zagrebit, ishte mbyllur të premten për t’u rihapur sërish pas zhvendosjes së resë drejt veriut. Megjithatë, trafiku ajror do të ngelet pjesërisht i paralizuar, sepse pjesa më e madhe e udhëtimeve kryhen drejt vendeve të Europës Veriore dhe asaj Qendrore.

Finlanda nuk do të autorizojë asnjë fluturim mbi hapësirën e saj ajrore deri sot në orën 17:00. Të gjitha aeroportet spanjolle që ishin mbyllur të dielën në mëngjes, për shkak të pozicionit të resë së hirit vullkanik, u rihapën pasdite. Edhe Franca lajmëroi për rihapjen e disa aeroporteve në jug të vendit. Sipas autoriteteve aeroportuale, janë vënë në funksionim aeroportet e Nicës, Marsejës, Bordosë dhe Tuluzës. Aktualisht ndodhen të mbyllura aeroportet e Austrisë, Belgjikës, Republikës çeke, Danimarkës, Estonisë, Britanisë së Madhe, Lituanisë, Letonisë, Finlandës, Hungarisë, Holandës, Norvegjisë, Serbisë, Sllovenisë, Polonisë, Rumanisë, Zvicrës dhe Ukrainës. Ndërkaq ka nisur të bëhet gjithmonë e më e besueshme hipoteza se kompanitë ajrore po kërkojnë ndihmë nga BE, sepse tashmë janë futur në një gjendje krize.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›