Fitim pa doganë, dy biznesmenët lirohen në gjykatë
Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë dy tregtarët e arrestuar nga policia e kryeqytetit gjatë operacionit të koduar “fitim pa doganë”. Ardian Biba dhe Artan Sota do të hetohen nga prokuroria me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Vendimi është dhënë dje nga gjyqtari Altin Shkurti, i cili pasi dëgjoi pretendimet e mbrojtësve dhe prokurorit Blerim Tominaj, vendosi lirimin e dy shtetasve. Të njëjtën masë kishte kërkuar edhe akuza, pasi nga verifikimet e rastit ka rezultuar se Biba dhe Sota i janë shmangur autoriteteve doganore me një shumë prej 250 eurosh. Gjykata deklaron se nga akti i sekuestrimit të mallrave në autobusin që drejtohej Ardian Biba kanë rezultuar se ato kishin një vlerë totale prej 1700 eurosh dhe jo 200 mijë eurosh, siç deklaroi zyrtarisht Policia e Tiranës në njoftimin për shtyp. Duke u nisur nga vlera e vogël e dëmit dhe nga rrezikshmëria e të arrestuarve, togat e zeza vendosën lirimin e Bibës dhe Sotës, ndërsa urdhëruan organin e akuzës të kryejë të gjitha hetimet e nevojshme për këtë çështje.
Tri ditë më parë, Policia e Tiranës tha zyrtarisht se, gjatë operacionit policor të koduar “fitim pa doganë II” u arrestuan Ardian Biba, shofer i autobusit të linjës Tiranë-Athinë dhe Artan Sota me profesion tregtar i pajisjeve elektronike në Tiranë. Ata u akuzuan për kontrabandë. “Specialistë të këtij seksioni, pas një hetimi 3-mujor në kompaninë ‘Klit Balkan’ për linjën e autobusëve Tiranë–Athinë dhe anasjelltas, bënë të mundur sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme mallrash kontrabandë. U konkludua se shtetasit e lartpërmendur kalonin nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë, me autobus, ku në brendësi të mjetit kishin realizuar vende të posaçme për të fshehur mallin kontrabandë”, thuhej zyrtarisht në njoftimin e Policisë së Tiranës. Sipas tyre, u sekuestruan etiketa detergjentësh, pigmente që shërbenin për prodhimin e sallamit, syze dielli, antena, televizorë dhe kamera dixhitale. “U konkludua se vlera e të gjithë mallrave të sekuestruara arrijnë në masën e 200 mijë eurove”, tha policia, ndërsa, sipas gjykatës, vlera e mallrave të sekuestruara është 1700 euro.
#