“Antimafia”, sërish në Gjykatën e Lartë
Ligji i shumëpërfolur “Antimafie” për sekuestrimin e aseteve kriminale, pa qenë nevoja e një dosjeje penale, do të kalojë sërish në Gjykatën e Lartë, e cila shfuqizoi ligjin e parë me një vendim unifikues në vitin 2007. Anëtari i Bandës së Lushnjës, Afrim Hoxha, të cilit i janë sekuestruar një apartament, një lokal e disa automjete, pretendon se vendimi është i kundërligjshëm dhe i pabazuar në prova e ligj. Avokatët mbrojtës të Hoxhës pretendojnë se ligji që hyri në fuqi në fillim të këtij viti është antikushtetues, pasi është miratuar me shumicë të thjeshtë në Parlament. Mbrojtja pretendon se vendimi i sekuestrimit është marrë jashtë procedurave penale e civile, në kundërshtim me Kushtetutën duke u bazuar në një ligj antikushtetues që cenon rëndë të drejtën e pronës private të mbrojtur me Kushtetutë. Gjykata e Krimeve të Rënda i bllokoi Hoxhës dhe familjarëve të tij dhjetëra prona. çështja u apelua në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, e cila vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Avokatët e anëtarit të Bandës së Lushnjës dërguan çështjen në Gjykatën Supreme me pretendimin se “Ligji ‘Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë’ është antikushtetues, pasi është një ligj i miratuar me shumicë të thjeshtë të deputetëve të Kuvendit”.
Mbrojtja parashtroi se ligji “Antimafie” përmban dispozita që ndërhyjnë në ligj dhe duhet të ishin bërë me shumicë të cilësuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Ata deklarojnë se sekuestrimi i pasurisë së regjistruar në emër të familjarëve dhe vetë të pandehurit është kryer pa praninë e avokatit, por vetëm të prokurorit të çështjes. Sipas tyre, pasuritë dhe pronat e sekuestruara janë fryte dhe kontribut i përbashkët i të gjithë pjesëtarëve të familjes Hoxha, vëllezërve të të pandehurit dhe bashkëshorteve të tyre. Sipas mbrojtësve, të gjitha pasuritë e sekuestruara përveç apartamentit ku banon familja Hoxha dhe një automjet, janë shitur prej vitesh dhe nuk janë në pronësi të pjesëtarëve të ngushtë të familjes Hoxha, por të personave të tjerë të cilët tashmë i kanë blerë dhe tjetërsuar.
Ata pretendojnë se pasuritë dhe të drejtat pasurore dhe të ardhurat e tyre financiare janë të përligjura për shkak se janë përfituar në bazë të veprimtarisë private të ligjshme, me të cilat i përgjigjet dukshëm dhe justifikohet niveli i të ardhurave, fitimeve dhe të gjithë pasurisë së sekuestruara të sipërcituar.
Ligji i ri “Animafie” është kundërshtuar nga grupet e interesit, ndërsa veprime ligjore ka marrë vetëm Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cili e ka dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tyre, dispozitat ligjore shkelin rëndë Kushtetutën, ndërsa është kërkuar pezullimi i menjëhershëm i tij. Tashmë, ky ligj, i konsideruar nga mazhoranca si i suksesshëm do të shqyrtohet në dy gjykatat kryesore, në Gjykatën Supreme dhe në Gjykatën Kushtetuese.
#