E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Dokumenti i Ahtisarit është implementuar 90 për qind

Prishtinë Kreu i qeverisë thekson se po mbyllet suksesshëm “pavarësia e mbikëqyrur”

Kryeministri i qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dje në mbledhjen e radhës së qeverisë ka theksuar se institucionet e Kosovës rreth 90 për qind të dokumentit të presidentit Ahtisari e kanë implementuar, prandaj pavarësia e mbikëqyrur po përmbyllet suksesshëm. Në fjalën e tij të hapjes, Kryeministri Thaçi ka vlerësuar se pavarësia e mbikëqyrur për Kosovën po përmbyllet suksesshëm dhe tashmë Kosova është e gatshme të ecë përpara në proceset e integrimeve euroatlantike.

Kabineti qeveritar është njohur me një informatë për aktivitetet diplomatike të qeverisë së Kosovës gjatë procesit të miratimit të mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe pas shpalljes së këtij mendimi, thuhet në një komunikatë nga zyra e Kryeministrit. Kjo komunikatë bën të ditur se ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka njohur kabinetin qeveritar me aktivitetet diplomatike në procesin e miratimit të mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe pas shpalljes së këtij mendimi. Ai ka theksuar se mendimi i GJND-së ka qenë plotësisht në përputhje me prezantimin e argumenteve para kësaj gjykate nga ana e qeverisë së Kosovës. Në këtë mbledhje, shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni, është ndalur në debatet e kohës së fundit për iniciativën e qeverisë së Kosovës për ndërrimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku ka vlerësuar se zërat që mendimi i GJND-së me mendimin e vet për pavarësinë e Kosovës e ka shfuqizuar Rezolutën 1244, janë interpretim diletant dhe në dëm të nismave pozitive për Kosovën. Në lidhje me mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, Hyseni tha se kishte kërkuar shfuqizimin e Rezolutës 1244 dhe zëvendësimin me një rezolutë të re, e cila do të përmbyllte misionin e UNMIK-ut në Kosovë, një veprim që është në pajtim të plotë me mendimin e GJND-së. "Mendimi i GJND-së është deri në atë masë i qartë saqë nuk lë hapësirë për asnjë interpretim tjetër, përpos që ka rikonfirmuar, i ka vendosur një vulë legale ndërkombëtare pavarësisë së Kosovës dhe e ka fuqizuar deri në masë të pakthyeshme", theksoi ai. Ai bëri të ditur se në shumë takime që ka pasur nga misione të përhershme pranë OKB-së, ka marrë zotimin se njohja e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran do të vijë shumë shpejt dhe se ato shtete janë në fazën e shqyrtimit të kërkesës për njohje. Sa i përket procedurës së anëtarësimit në OKB, Hyseni tha se ky është hap i natyrshëm pas vendimit të GJND-së, por Këshilli i Sigurimit nuk ka marrë vendim për shfuqizimin e Rezolutës 1244 dhe për këtë flet realiteti faktik, vazhdimi i pranisë së UNMIK-ut në Kosovë, paraqitja e raporteve të rregullta periodike para Këshillit të Sigurimit. "Kërkesa për zëvendësim të Rezolutës 1244, është bërë në momentin më të rëndësishëm të zhvillimeve për Kosovën dhe rreth Kosovës në pajtim të plotë me strategjinë dhe politikën e qeverisë së Republikës së Kosovës për daljen e Kosovës nga vëzhgimi ndërkombëtar dhe kontrolli ndërkombëtar", tha Hyseni.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›