Qeveria “tallet"me komunat, jep 1100 lekë për ujësjellësit
Se çfarë mund të bëjë një komunë me 1100 lekë për të ndërtuar apo rehabilituar ujësjellësin, këtë e di vetëm ministri i Financave dhe Kryeministria, që mbulon programin e “Zhvillimit të rajoneve”.
Gazeta “Shqip” disponon listën e gjatë me komunat që kanë përfituar fonde për projekte që lidhen me ujësjellësit, në kuadër të vendimit të qeverisë “Për zhvillimin e rajoneve”, që menaxhohet nga një komitet me seli qendrore në Kryeministri.
Bëhet fjalë për rreth 965 milionë lekë që u janë ndarë 105 njësive vendore, pjesa dërrmuese komuna, ku mes tyre ka nga ata njësi që kanë përfituar shuma qesharake, si 1100 lekë, 1400 lekë apo 4000 lekë. Kështu, komunat Shushicë në Elbasan, Maminas në Durrës, Allkaj në Lushnjë, Pajovë në Peqin dhe Qendër në Vlorë, kanë marrë secila nga 1100 lekë për rikonstruksionin dhe përmirësimin e ujësjellësve në disa fshatra që administrohen nga këto njësi vendore. Në listë nuk mungojnë komuna që kanë përfituar 3300 lekë, si ajo e Cepos në Gjirokastër për rikonstruksionin e rrjetit të jashtëm të ujësjellësit në Mashkullore, Komuna Ballaban në Përmet, që ka marrë 4400 lekë, ashtu dhe Lekbibaj në Bajram Curri, për ndërtimin e ujësjellësve në disa fshatra. Janë të shumta njësitë vendore që kanë marrë nga buxheti i shtetit shuma nga 5 mijë deri në 8 mijë lekë, ku bie në sy edhe Bashkia e Kavajës, që ka përfituar 5500 lekë për rehabilitimin e furnizimit me ujë të zonës ish-Arkat e Qelqit. Në detajimin e fondeve, ka komuna që kanë shuma të konsiderueshme, disa herë më të larta, si ajo e Paskuqanit në Tiranë, rreth 54 milionë lekë, Armen në Vlorë, 36 milionë lekë, Mollas në Elbasan me 35 milionë lekë, Bashkia Vorë me 30 milionë lekë etj., që të gjitha për rikonstruksione.
Por ka nga ato njësi që nuk kanë përfituar fare, siç janë fshatrat Gërdec dhe Marqinet pranë Vorës, të njohura në media për tragjedinë dhe dëmin që iu shkaktuan nga shpërthimi i fabrikës së armëve. Projektet e tyre për ndërtim ujësjellësish nuk u miratuan. Për këto njësi, ministri i Financave sqaron se “projektet e fshatrave Gërdec, Marqinet 1, Marqinet 2 dhe Marqinet-Gërdec, nuk janë miratuar me grantin konkurrues. Duke pasur parasysh udhëzimin e Ministrisë së Financave nr. 11, 1 prill 2010, ‘Për fondin e zhvillimit të rajoneve’, ky fond përbëhet nga granti konkurrues për ujësjellës-kanalizimet”. Ministri i Financave i kërkon atij të Punëve Publike që ta gjejë zgjidhjen brenda buxhetit që ka në dispozicion. Për të përfituar nga granti konkurrues, njësitë vendore paraqesin projekte, të cilat nëse u përmbahen kritereve për zhvillimin e zonës, marrin aprovimin.
I gjithë fondi në total prej rreth 965 milionë lekësh i është zbritur buxhetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellësit, për t’ia kaluar Fondit të Zhvillimit të Rajoneve.
Shkresa mban datën 30 qershor, me firmën e ministrit të Financave, drejtuar Drejtorisë së Thesarit, për dijeni Ministrisë së Transporteve dhe hartuar nga Drejtoria e Menaxhimit të Investimeve Publike, në Ministrinë e Financave. Në dokumentin me subjekt “Transferimi dhe detajimi i Fondit të Zhvillimit të Rajoneve për Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit për vitin 2010”, ministri i Financave sqaron se lista me projektet dhe vlerat e investimit është hartuar duke iu referuar ligjit të buxhetit të shtetit, me kërkesë të MPPT-së për detajimin e fondeve për zhvillimin e rajoneve, për pjesën e investimeve që prek ujësjellësit dhe kanalizimet.
#