Antimafia shkon në Gjykatën Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese do të marrë në shqyrtim javën që vjen kërkesën e Komitetit të Helsinkit për rrëzimin e paketës “Antimafia”. Komiteti Shqiptar i Helsinkit është në pritje të vendimit nga gjykata supreme, në lidhje me ligjin për sekuestrimin e pasurive të personave të dyshuar, të cilët nuk e justifikojnë mënyrën se si e kanë krijuar. Ligji “Antimafia” i cili mori 74 votat e mazhorancës në Parlament është ankimuar për ndryshimet ligjore që janë miratuar pa marrë parasysh opinionin e organizatave të tjera. Drejtuesja ekzekutive e Komitetit të Helsinkit, Vjollca Meçaj, thotë se “çështja është çuar në Gjykatën Kushtetuese dhe i takon asaj të marrë tashmë vendimin. Ne e kemi bërë detyrën tonë. I takon gjykatës tani të shprehet”. Komiteti i Helsinkit ka kërkuar shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut ligjin nr.10192, datë 03.12.2009 "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë". Sipas dispozitave të parashikuara në ligj, kushdo që ka një pasuri të luajtshme apo të paluajtshme, pavarësisht vlerës apo periudhës në të cilën është krijuar, duhet që të vërtetojë prejardhjen e saj. Në të kundërt, organet hetimore gëzojnë të drejtën duke u bazuar mbi indicie të kërkojnë sekuestrimin e saj, si një formë për të prerë burimet financiare të krimit të organizuar. Por, verifikimet nuk përfundojnë vetëm te personi i dyshuar. Sipas dispozitave ligjore, pjesë e hetimit janë edhe të afërmit, si bashkëshorti apo bashkëshortja, fëmijët, vëllezërit, prindërit, nipërit, por edhe vjehrri dhe vjehrra. Në rastet kur dikush dyshohet se kryen veprimtari kriminale, organet hetimore verifikojnë nëse ai është zotërues i një licence, autorizimi apo i një të drejte tjetër që lejon ushtrimin e një veprimtarie ekonomike. Në këtë mënyrë verifikohet nëse personi në fjalë përfiton të ardhura apo financime nga kjo veprimtari apo edhe nga shteti, si një rrugë për të parë nëse të ardhurat e tij janë ose jo të ligjshme. Objekt i ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar", janë personat që kanë një standard jetese të pajustifikuar nga të ardhurat e deklaruara.
#