Liria e një zyrtari zvogëlohet sa më shumë ngjit shkallët e karrierës
A kanë të drejtë gazetarët investigativë të hetojnë mbi personat e veshur me pushtet dhe a duhet të publikojnë edhe pjesë të jetës së tyre private? Në përgjigje të kësaj pyetjeje, Vjollca Meçaj, deri pak kohë më parë gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese dhe tani kryetare e Komitetit të Helsinkit, tha: “Të gjitha qeniet njerëzore gëzojnë të drejtat e njeriut, por një pjesë e tyre shumohen apo pakësohen, për sa kohë një individ vishet me pushtet. Sa më lart një individ është në pushtet, aq më tepër publiku kërkon të njohë sjelljen e tij, pasi njerëzit duan të informohen për këtë person që e kanë mandatuar”.
Por ndërsa Gjykata e Strasburgut në çështje të tilla ka anuar plotësisht në mbrojtje të lirisë së informimit, transparencës, dhe gazetarisë investigative, gjyqtari Agim Bendo, që e ka për detyrim të zbatojë rekomandimet e kësaj gjykate, e ka parë të udhës të vendosë me mendjen e tij.
“Nëse dikush është drejtor apo ministër, edhe Gjykata e Strasburgut e jep të drejtën për t’u informuar rreth jetës private. Nëse një anëtar i një gjykate, për të cilin ne presim që të na japë të drejtë, grindet me fqinjët e tij, atëherë informimi ne na zbulon se çfarë ka ky njeri në thelbin e vet”, u shpreh Meçaj.
Vendimi duket i njëanshëm, i qëllimshëm dhe politikisht i ndikuar edhe nga shuma me të cilën Agim Bendo mendoi të gjobisë “Top Channel”, 400 mijë euro. Një shumë mijëra herë më e lartë seç mund të përfitojë një qytetar i thjeshtë. Shembujt e sjellë nga zonja Meçaj tregojnë se një vajzë e trafikuar dhe e dhunuar për dhjetëra vjet, ka arritur me shumë pengesa të përfitojë një dëmshpërblim prej 2 milionë lekësh. Gazetarët gëzojnë të drejtën e informimit dhe gazetaria investigative luan një rol të rëndësishëm në informimin dhe transparencën që duhet të ketë një zyrtar i veshur me pushtet, liria e të cilit zvogëlohet sa më shumë ngjitet në hierarkinë e shtetit.
#