Prefekti: Të bllokohen fondet e Bashkisë së Tiranës
Acarohen deri në kufijtë e shkallës së lartë marrëdhëniet mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës. Pas debateve për “fatin” e sheshit “Skënderbej”, një konflikt i ri ka lindur, duke u përshkallëzuar deri në kërcënimet për ndërprerjen e fondeve publike. Përfaqësuesi i qeverisë për Qarkun e Tiranës, përkatësisht prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, dje ka kërkuar publikisht as më pak e as më shumë bllokimin e fondeve publike për pushtetin vendor të kryeqytetit të Republikës.
Kërkesa e Krujës drejtuar Ministrisë së Financave u justifikua për shkak se përfaqësuesit e kësaj bashkie, refuzonin kontrollin e Prefekturës së Tiranës. “Sektori i auditimit të brendshëm pranë prefektit të Qarkut të Tiranës ka planifikuar dhe depozituar një program auditimi në një sërë njësish vendore, si Bashkia e Kamzës, Bashkia e Vorës, ndër to edhe Bashkia e Tiranës. Por, në përgjigjen e kthyer, kryetari i bashkisë shprehet se, refuzon të auditohet nga ana prefektit dhe nuk njeh asnjë grup pune të ngritur për këtë qëllim”, theksoi prefekti i qarkut, Keltis Kruja. Ai tha se mbështetej në ligjet e vendit që i japin kompetenca prefekturës në lidhje me kërkesën për kontroll financiar ndaj bashkive dhe komunave. Prefekti i Tiranës tha se auditimi financiar ndaj Bashkisë së Tiranës, do të kryhet vetëm për fondet e transferuara nga buxheti qendror në atë vendor dhe jo për sa i përket taksave që kjo bashki merr nga qytetarët. “I bëj thirrje kryetarit të bashkisë të ndahet nga praktikat private me të cilat administron Bashkinë e Tiranës dhe ta drejtojë këtë bashki në respekt dhe përputhje të plotë me ligjin. Garantoj qytetarët e Tiranës, se jam i vendosur dhe do të vazhdoj të kërkoj respektimin dhe zbatimin e plotë të ligjit në Qarkun e Tiranës nga cilido, qoftë ky dhe Kryetari Bashkisë së Tiranës”, deklaroi Keltis Kruja. Sipas Prefektit Kruja, bashkia e kryeqytetit e drejtuar nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk e pranon kontrollin për 863 milionë lekë të reja ose afërisht 7 milionë dollarë, të ardhura të marra në fillim të këtij viti nga qeveria. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës, pritet të mbajnë sot paradite një qëndrim zyrtar në lidhje me akuzat dhe kërkesën për bllokim të fondeve që prefektura ka bërë ndaj saj. Gazeta “Shqip” ka kërkuar një reagim zyrtar nga Bashkia e Tiranës, por burime zyrtare bënë të ditur se sot do të ketë një qëndrim të plotë për pretendimet e prefektit. Sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës, përgjigjja e sotme do të jetë e artikuluar në bazë të ligjeve në fuqi, duke u bazuar në legjislacionin mbi autonominë vendore.
Kryeministri Berisha, një javë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, e akuzoi kryetarin e Bashkisë, Edi Rama, për abuzim me të ardhurat në bashki. Sipas Berishës, Rama po abuzonte me rritjen pa kriter të taksave, duke i rritur ato gjatë çdo norme ligjore, në kurriz të qytetarëve të Tiranës dhe i përdorte ato për aktivitete të Partisë Socialiste. Kryeministri i kërkoi Ministrisë së Financave që ta shikonte me kujdes këtë situatë dhe të merrte masat e duhura, duke u kthyer qytetarëve tepricat e tepërta që iu ishin marrë nga bashkia në mënyrë të padrejtë. Sipas Berishës, askush nuk mund të abuzonte me të ardhurat e qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.
#