E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalon drafti për poligonet shtesë për asgjesimin e municioneve

Kuvendi Opozita kërkon që të dëmshpërblehen banorët që dëmtohen

Komisioni Parlamentar i Sigurisë miratoi kalimin për në seancë plenare të projektligjit që lejon ndërtimin e 6 poligonëve shtesë për asgjësimin e municioneve luftarake. Anëtarët e Komisionit të Sigurisë vendosën që të respektohen distancat e sigurisë nga ndërtesat e banuara, nga rrugët, hekurudhat, aeroportet dhe linjat e kabllot ajrore dhe nëntokësore. Projektligji është miratuar në komision nen për nen dhe do të kalojë për votim në seancën e së enjtes në Parlament. Katër prej poligoneve të reja do të asgjësojnë municionet me plasje dhe dy poligone do të asgjësojnë barut me djegie. Poligonet që janë shtuar janë në Kepin e Skëndërbeut në Mat, Zharë në Tepelenë, në Malin e Tërpanit, Berat, si dhe poligonin Qafa e Barit në Labinot. Ndërsa poligonet për asgjësimin e barutit janë ai që do të ndërtohet në lumin e Oltës, në Gramsh, dhe poligoni në Xibrakë në Elbasan. Ky është një tjetër projektligj për të cilin dy forcat e mëdha politike PD dhe PS pritet të bashkojnë votat për miratim. Aktualisht shqipëria ka rreth 80 mijë tonë armatim që duhet eliminuar brenda vitit 2013. Për të realizuar këtë qëllim, Ministria e Mbrojtjes ka hartuar këtë draft duke kërkuar shtimin edhe të 4 poligoneve të tjera. Sipas deputetit demokrat, njëkohësisht ish-ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, “asgjësimi i armëve të rrezikshme për popullatën duhet të ndodhë brenda këtij viti”. Deputetët e opozitës propozuan për amendimin që lidhet me dëmshpërblimin nga qeveria të banesave që mund të dëmtohen gjatë demontimit. Sipas socialistëve, shumë banorë janë ankuar për prishje të banesave, si pasojë e shpërthimeve të forta. Në draft është parashikuar që i gjithë demontimi të kryhet nga ushtarakët. Në mars të vitit 2008, në një fabrike demontimi ku punonin kryesisht civile, në Gërdec, si pasojë e një shpërthimi fatal, humbën jetën 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosën.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›