E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antishqiptarizëm akademik



Nuk është e thënë që në çdo 10-vjeçar Vlora të mos bëhet vendngjarja e ndonjë katastrofe apo skandali me efekte mbarëkombëtare. Vetëm 10 vjet më parë Vlora u bë epiqendra e një revolucioni shkatërrimtar, ku aktet vandale dhe krimet e çuan në zero imazhin tonë në botë, për të mos përmendur jetët njerëzore dhe dëmin e pallogaritshëm që qyteti dhe krejt Shqipëria pësuan nga ajo që me plot të drejtë mund ta konsiderojmë si “marrëzia” vlonjate. Personalisht jam përpjekur ta veçoj, edhe publikisht, qytetarinë dhe elitën shoqërore të Vlorës nga ngjarje të tilla dhe të them të drejtën kam ngelur i befasuar dhe i zhgënjyer nga lajmi se senati i Universitetit “Ismail Qemali” ka vendosur t’ia heqë emrin e “babait” politik të Shqipërisë institucionit në fjalë. Nuk do ta kisha besuar nëse vetë rektori i universitetit, Tanush Shaska, nuk do të kishte paturpësinë për të mbrojtur publikisht një vendim të tillë, sa të turpshëm aq edhe antikombëtar . “Ismail Qemali nuk ka qenë akademik”. Ky argument i “akademikut” Shaska, si motivim për heqjen e emrit të “Ismail Qemalit” universitetit të Vlorës është pjesa më revoltuese e një vendimi, që me ngarkesën e tij antishqiptare nuk besoj se do të mund të jetë i zbatueshëm. Qëndrimi i z. Shaska më ka habitur edhe për faktin se origjina dhe familja e tij janë pjesë e njohur e historisë nacionaliste të qytetit të flamurit dhe janë persekutuar gjatë pikërisht për këtë cilësi. Gjithsesi, proverbi “dardha bie nën dardhë” nuk më rezulton edhe aq i vërtetë këto kohë.

Por le të kthehemi tek thelbi i çështjes. Çfarë mund të përfitojë një universitet, një staf akademik apo një qytet më shumë se nderi për të mbajtur emrin e një prej figurave më të ndritura të historisë së Shqipërisë?! Unë, besoj edhe shumica e shqiptarëve, mendoj se emri i Ismail Qemalit nuk mund të kompensohet me asgjë dhe se ideatorët e kësaj iniciative vetëm kanë marrë mbi vete turpin për të firmosur një nga vendimet më antishqiptare. Nuk flitet dhe as mund të pretendohet për një gabim apo lajthitje, pasi zyrtarisht kemi të bëjmë me një vendim “akademikësh”, pavarësisht se veprimi i tyre nuk shkon më shumë se vendimet apo veprimit e Zani Çaushit dhe banditëve të tjerë ordinerë që dogjën Vlorën dhe Shqipërinë në 1997-n. Nuk e kuptoj se si mund ta marrin guximin zoti Shaska dhe pjesëtarët e tjerë të senatit të mendojnë se kanë mundësinë intelektuale , politike e kombëtare të kontestojnë, madje edhe të heqin emrin e Ismail Qemalit nga universiteti ku janë vetëm të punësuar. Mjafton vetëm fakti se ishte pikërisht Ismail Qemali ai që udhëhoqi e finalizoi përpjekjen më të madhe të historisë së Shqipërisë, duke hapur rrugën që në Shqipëri të ketë shkolla e institucione shqiptare, përfshi edhe universitetin, senati i të cilit guxoi të vendosë t’i heqë emrin për te kuptuar se sa i pa pranueshëm është ky vendim. Nuk dua të zgjatem me atë çka bërë Ismail Qemali për këtë vend, pasi këtë e dinë edhe fëmijët e kopshteve, por nuk mund të pajtohem e aq më shumë të toleroj një veprim në kuptimin e plotë antikombëtar, pikërisht në “Mekën” e shqiptarizmit. Lidhja e vendimit të heqjes së emrit “Ismail Qemali” me njohjen ndërkombëtare të pretenduar nga autorët e vendimit është një justifikim banal, që zhvleftëson njëherazi edhe akademizmin e pretenduar të tyre. Guxim sa senati i Universitetit të Vlorës nuk ka pasur në antishqiptarizmin e tyre as Akademia Serbe e Shkencave dhe Sillogjet Vorio-Epirote të Greqisë, që gjithsesi mund ta kenë sharë, por nuk kanë tentuar kurrë ta kontestojnë rolin historik të themeluesit të Shqipërisë së pavarur. Unë nuk besoj të jetë i vërtetë pretendimi i kushtëzimit të njohjes ndërkombëtare me heqjen e emrit, por edhe nëse është e vërtetë, kjo njohje nuk i hynë në punë askujt duke përjashtuar ndoshta interesa të dyshimta të drejtuesve të universitetit në fjalë. Vendi ynë , përfshi edhe universitetet do të integrohet në ndërkombëtarisht pikërisht për shkak te identitetit tonë evropian, për zyrtarizimin e të cilit Ismail Qemali ka pa dyshim rolin kryesor .

Gjithsesi, nuk besohet se ky vendim do të lejohet të zbatohet. Natyrisht pritet që qeveria dhe institucionet e tjera të shtetit të reagojnë jo vetëm duke penguar zbatimin e këtij vendimi, por edhe për arsyet e vërteta që motivuan autorët dhe firmëtarët e tij. Nuk besoj se pas kësaj ata kanë të drejtën morale, që mund të bëhet edhe ligjore për të qenë pjesë e trupave pedagogjike të universiteteve dhe mësimdhënies ne sistemin arsimor shtetëror në Shqipëri. Nuk e di se si do të reagojë ministri i A.SH, Fatos Beja, por edhe strukturat e tjera përgjegjëse të shtetit, duke pasur parasysh se bllokimi dhe ndalimi i iniciativave të tilla është pjesë e detyrave të tyre kushtetuese. Ndërkohë që mund të vlerësohet i vakët për të mos thënë i turpshëm reagimi i rretheve akademike, mediave, por edhe opinionit qytetar ndaj një fenomeni që fyen e poshtëron jo vetëm Vlorën dhe universitetin e saj, por të gjithë shqiptarët. Nëse Tanush Shaskës dhe firmëtarëve të tjerë u vjen turp nga Ismail Qemali dhe historia jonë, shumica e shqiptarëve ndjehen krenarë për të. Mendoj se askush, individ apo grup individësh , akademikë apo kriminelë ordinerë, nuk e kanë një të drejtë të tillë. Nëse z. Shaska dhe të tjerët nuk ndihen mirë si shqiptarë, këtë ndjesi nuk mund të na e imponojnë dot të gjithëve. Ka shumë mënyra për ta zgjidhur personalisht këtë problem. Një mundësi e njohur është ndryshimi i emrit, p.sh.: nga Tanush në Thanas, një zgjidhje që nuk do rëndonte mbi Shqipërinë dhe shqiptarët e tjerë, historinë dhe dinjitetin tonë kombëtar dhe sidomos tek edukimi fëmijëve tanë . Ky vendim është një turp që për fatin e keq të Vlorës dhe vlonjatëve ndodh sërish këtu. Fakti që këtu kanë ndodhur shumë gjëra të pakëndshme , nuk do të thotë që “turpi të hahet me bukë”. Çfarë i mbetet Vlorës nëse i mohojnë, injorojnë e nëpërkëmbin edhe simbolin e pavarësisë, të vetmen vlerë pozitive, historike e qytetare që i ka mbetur pas kaq e kaq ndodhish e historish të turpshme, që me sa duket nuk kanë të sosur?!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›