E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pekin 2008 ,Shqipëria në kërkim të “arit”



Vendi ynë do të përfaqësohet nga 11 sportistë, të cilët përbëjnë edhe delegacionin më të madh për Shqipërinë në këto lojëra

Janë vetëm 11 sportistë përballë 10500 të tjerëve. Megjithatë, olimpistët shqiptarë besojnë se do të arrijnë të valëvisin flamurin kuqezi në Lojërat Olimpike Pekin 2008 dhe t’i dhurojnë medaljet e dëshiruara Shqipërisë. E vështirë, por jo e pamundur. Dhe tek kuqezinjtë shpresë ka. Skuadra shqiptare u nis ditën e djeshme drejt kryeqytetit kinez me dëshirën për të pasur sukses. Këtë herë në Olimpiadën e 29-të, Shqipëria do të shkojë me delegacionin më të madh ndonjëherë në historinë e këtyre lojërave, 11 atletë. “Sytë” janë tek peshëngritja, ku është dhe përqendrimi më i madh i kampionëve. Por edhe në mundje dhe qitje shpresohet për medalje. Sportistët shqiptarë do të marrin pjesë në gjashtë sporte, nga 28 të tilla që do të zhvillohen në Pekin 2008. Shtatë sportistë kanë arritur të kualifikohen në garë, ndërsa 4 kanë marrë ftesë për të qenë pjesëmarrës në këtë aktivitet. Vendi ynë merr pjesë për herë të gjashtë në një olimpiadë, pas Mynih 1972, Barcelonë 1992, Atlanta 1996, Sidnej 2000 dhe Athinë 2004. Risia këtë herë do të jetë në sportin e xhudos, ku vendi ynë do të përfaqësohet për herë të parë nga një sportist. Në sportin e peshëngritjes është edhe përqendrimi më i madh i atletëve. Vendi ynë dallohet për suksesin në këtë sport, që disa herë ka sjellë medalje të rëndësishme. Erkand Qerimaj, Gerti Trasha dhe Romela Begaj do të përpiqen që të përsërisin prapë sukseset e tyre. Tek këta sportistë vihet re mosha e re (më i madhi prej tyre, Gerti Trasha, është vetëm 22 vjeç), fakt ky që premton për suksese të mëtejshme në të ardhmen. Në mundje për flamurin kuqezi do të konkurrojë Said Prizreni, mundje e lirë, dhe Elis Guri mundje klasike, të dy me suksese të mëparshme gjatë karrierës së tyre në garat ndërkombëtare. Në atletikë do të garojnë Klodiana Shala për 400 metra dhe Dorian Çollaku për hedhje çekiçi. Në sportin e notit janë sërish dy sportistë, Rovena Marku dhe Sidni Hoxha. Në qitje pistolete Shqipëria përfaqësohet nga Lindita Kodra, ndërsa në xhudo nga Edmond Topalli. Olimpisti më i madh në delegacionin kuqezi është Lindita Kodra 46 vjeçe, ndërsa ai me moshë më të vogël është Sidni Hoxha vetëm 16 vjeçe. Lojërat Olimpike do të fillojnë më datë tetë gusht dhe mbarojnë më 24 gusht. 11 olimpistët janë gati për të përfaqësuar Shqipërinë në olimpiadën e 29-të. Dëshira është e madhe për të valëvitur flamurin kuqezi dhe për t’i dhuruar vendit sërish medaljen e artë.

Skuadra shqiptarë në Pekin 2008

Me normë

1. Lindita Kodra (46 vjeç), qitje-pistoletë

2. Said Prizreni (25 vjeç), mundje e lirë - pesha 60 kg

3. Elis Guri (25 vjeç), mundje klasike - pesha 96 kg

4. Dorian Çollaku (31 vjeç), atletikë - hedhje çekiçi

5. Erkand Qerimaj (21 vjeç, peshëngritje - pesha 77 kg

6. Gerti Trasha (22 vjeç), peshëngritje - pesha 69 kg

7. Romela Begaj (21 vjeç), peshëngritje - pesha 58 kg

Me ftesë

1.Klodiana Shala (28 vjeçe), atletikë - 400 m

2.Rovena Marku (21 vjeç), not - stil i lirë

3.Sidni Hoxha (16 vjeç), not - stil i lirë

4.Edmond Topalli (28 vjeç), xhudo

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›