E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antiterrorizmi, Taskë-Forcë rajonale për shkëmbimin e Infoemacionit

Takimi Projekti NEXUS, 19 delegacione nga vende diskutojnë në Tiranë

Krijimi i një Task-Force rajonale për shkëmbimin e informacionit për të luftuar terrorizmin në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe bashkëpunimi përmes agjencive rajonale të zbatimit të ligjit dhe shërbimeve inteligjente ishin në qendër të takimit dyditor të Grupit të Punës kundër Terrorizmit për Europën Juglindore që po mbahet në Tiranë, në kuadër të projektit NEXUS, ku marrin pjesë 19 delegacione nga vende të ndryshme, anëtarë të këtij grupi. Gjatë takimit, zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka, tha se Shqipëria është një anëtar aktiv i koalicionit global kundër terrorizmit dhe për të përmbushur detyrat e saj gjatë pesë viteve të fundit ka ndërmarrë reforma të rëndësishme, si në fushën ligjore ashtu dhe në atë strukturore, për t’i dhënë mundësinë agjencive të zbatimit të ligjit që të luftojnë me sukses kundër terrorizmit. Peka theksoi se për të forcuar kapacitetet kundër terrorizmit duhet rritur bashkëpunimi i brendshëm ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit, si dhe duhet forcuar bashkëpunimi me homologët në rajonin e Europës Juglindore, Europë e më gjerë, duke falënderuar sakaq përfaqësuesit e vendeve partnere dhe Interpolin në veçanti, për bashkëpunimin mjaft të mirë që i kanë ofruar agjencive shqiptare të zbatimit të ligjit.

Ndërsa zëvendësdrejtori i Përgjithshëm Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Agron Kuliçaj, u shpreh se “përpjekjet tona janë fokusuar për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve rajonale, por edhe vendeve të tjera europiane që luftojnë kundër terrorizmit, duke vënë theksin në marrjen, administrimin dhe shpërndarjen e informacionit të përbashkët”.

Sipas tij, angazhimi i përbashkët mbetet rritja e nivelit bashkëpunues dhe koordinues me agjencitë përkatëse rajonale dhe më gjerë, me qëllim që veprimet operative të lidhura me informacionin inteligjent të shkojnë në mënyrë simetrike me çështjet në hetim, pasi vetëm kështu do të arrihen rezultatet e duhura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›