E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitën me “Kallaus” plot 67 mijë euro

Policia: Punonjësja e agjencisë turistike informoi autorët për lëvizjet e koleges

Kur vëmendja e të gjithë shqiptarëve ishte përqendruar te bërja realitet e lëvizjes pa viza drejt Europës dhe i janë drejtuar agjencive turistike për të prenotuar udhëtimet në itineraret e dëshiruara, disa të rinj kanë pasur mendjen e “mbrapshtë” për të shfrytëzuar situatën për të realizuar një grabitje spektakolare në mes të Tiranës. Gëzimi i grabitësve për gjahun e majmë 67 mijë euro, ka zgjatur vetëm disa orë, pasi një prej tyre, Rodrik Malaj, është vënë në pranga, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Prangat iu vendosën edhe një 23-vjeçareje që dyshohet se ishte bashkëpunëtore e tyre, pasi kishte lidhje miqësore me një prej autorëve. Policia dyshon se grabitësit kishin skicuar një plan të detajuar për t’i marrë me forcë çantën punonjëses së një agjencie turistike, duke e ditur saktë se brenda saj ndodheshin 67 mijë euro. Saktësia e veprimeve të tre të rinjve të dyshuar si autorë të ngjarjes pasditen e së martës në rrugën “Abdyl Frashëri” ka shokuar edhe policinë, e cila fillimisht është treguar gjakftohtë dhe është mjaftuar fillimisht vetëm me denoncimin e së dëmtuarës, punonjëse e një agjencie turistike dhe, pak nga pak, duke dyshuar se grabitësit mund të kishin marrë informacion nga brenda, nisën pyetjen e një prej punonjëseve, mendohet se është dhe bashkortake, për të marrë ndonjë informacion të vlefshëm për ngjarjen. Policia është e rezervuar, por burime të besueshme thanë për gazetën se vajza dyshohet se iu ka dhënë informacionin e mundshëm rreth karakteristikave fizike të punonjëses, si dhe sasinë e parave që ajo kishte me vete. Operacioni i koduar “Mesdita”, i çoi agjentët antikrim në identifikimin dhe arrestimin e autorëve të grabitjes. “Falë hetimit të organizuar me metoda speciale u arrestuan 23-vjeçari Rodrik Malaj, si dhe 21-vjeçarja Gerta Mezuraj, punonjëse pranë një agjencie, ndërkohë që është bërë shpallja në kërkim edhe të dy bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë grabitje”, thuhet në deklaratën e Policisë së Tiranës. Po sipas saj, u dokumentua tërësisht implikimi i shtetasve në këtë grabitje, ku 23-vjeçari Malaj rezultoi se i kishte vjedhur me dhunë çantën punonjëses së agjencisë së udhëtimeve ku ndodheshin 67 mijë euro. Policia sqaron se implikimi i vajzës në këtë vjedhje me dhunë, dyshohet se është bashkëpunimi me autorët duke dhënë informacion, për lëvizjen e koleges së saj, për të depozituar paratë në bankë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›