Konviktet tek â21 Dhjetoriâ, 10 zyrtarë nën akuzë
Arkëtaret, shefi i financës dhe administratorët e konvikteve në afërsi të “21 Dhjetorit” Tiranë, janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Tiranës, pasi kanë përvetësuar siguracionet që duhet t’u ktheheshin studentëve. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për dhjetë punonjës të Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve Nr. 2 Tiranë (NTS2), të cilët akuzohen për vjedhje duke shpërdoruar detyrën. Nga hetimi ka rezultuar se punonjësit kanë përvetësuar 3 milionë lekë në dëm të studentëve. Të pandehurit, që tashmë do të gjykohen në Gjykatën e Tiranës, janë: D.Hado, E.Biba, R.Marku, D.Ramku, N.Çaro, D.Kaloti, I.Shehu, O.Xhihani, Sh.Saraçi, Xh.Kuta.
Nga hetimi i njësisë Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka rezultuar që në fillim të çdo viti shkollor, studentët e akomoduar pranë NTS2 Tiranë paguajnë në lidhje me akomodimin në dhoma dhe bazën materiale të marrë në dorëzim prej tyre. Pas mbarimit të vitit shkollor, studentët kanë të drejtë të tërheqin një pjesë të shumës së paguar, konkretisht vlerën 2000 lekësh, e cila është depozituar prej tyre si garanci për bazën materiale në rastet e mosdëmtimit të kësaj të fundit.
Për këtë qellim ata fillimisht duhet të tërhiqnin nga administratori i konviktit mandatin bankar me të cilin kishin bërë pagesën. Pasi verifikonte rregullsinë e bazës materiale, administratori bënte në pjesën e pasme të mandatit shënimin “dorëzoi në rregull” dhe nënshkruante. Këtë dokument duhet t’ia dorëzonte studentit, i cili duhej të paraqitej personalisht në arkën e shoqërisë NTS2 dhe pas identifikimit nga punonjësit e kësaj zyre, tërhiqte prej tyre shumën e siguracionit.
Nga veprimet hetimore të kryera, rezulton se në periudhën 2007-2009, disa punonjës të Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve Nr. 2 Tiranë (NTS2) në ushtrimin e detyrave të arkëtarit, shefit të financës apo administratorit të konvikteve, duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përvetësuar shumat e siguracioneve që duhet t’u ktheheshin studentëve, të cilat janë paguar prej këtyre të fundit për bazën materiale të tërhequr nga kjo ndërmarrje. Për këtë qëllim, nga ana e punonjësve të NTS2 janë falsifikuar nënshkrimet e studentëve në mandat-pagesat e hartuara në emër të tyre.