E Diel, 1 Nëntor 2026

Pak shqiptarë ikin pa viza, grekët nisin refuzimet

Pasaportat biometrike, të pafuqishme në Kakavijë

Shqiptarët e kanë pritur fare qetësisht fillimin e lëvizjes së lirë. Në 24 orët e para të lëvizjes pa viza në zonën “Shengen”, më pak se 500 persona kanë dalë jashtë kufirit, duke shfrytëzuar lehtësitë e premtuara. Situata ka qenë e qetë dje në të gjitha pikat kufitare me BE-në, që janë Portet e Durrësit, Vlorës e Sarandës, Pikat e Kalimit Kufitar të Kakavijës, Kapshticës, Tri Urave dhe Qafë Botës dhe Aeroporti i Rinasit. Në asnjë prej këtyre pikave kufitare nuk ka pasur fluks të madh në dalje, duke mos justifikuar as masat e marra për këtë ditë nga autoritetet. Orët e para të “lirisë” kanë sjellë edhe problemet e para, të gjitha të regjistruara në pikat e kalimit kufitar me Greqinë, ku duket se arritja e shqiptarëve nuk shihet me sy të mirë.

Kakavijë

Dhjetëra qytetarëve shqiptarë u është refuzuar dje në Kakavijë lëvizja e lirë që në orët e para të hyrjes në fuqi të vendimit për lëvizjen pa viza në hapësirat “Shengen”. Situata e refuzimit të lëvizjes në pikën e Kakavijës ka qenë e njëjtë deri në orët e pasdites së djeshme, duke dëshmuar se në disa pjesë të administratës së policisë kufitare nuk e “përtypin” dot lirinë e lëvizjes së shqiptarëve.

Ndonëse numri i qytetarëve që kërkuan të hynin në Greqi nëpërmjet Kakavijës, ndryshe nga ç’pritej ishte shumë i vogël, sjellja e kontrollorëve grekë nuk kishte asnjë element të mirëseardhjes dhe mirësjelljes europiane. Pikërisht kur akrepat e orës shënuan fillimin e ditës së mërkurë, rreth 20 qytetarë shqiptarë të pajisur me pasaporta biometrike u nisën nën ndriçimin e fishekzjarrëve nga territori shqiptar për në atë grek. Por nuk vonoi shumë dhe ata u kthyen mbrapsht. Motivet e kthimit kanë qenë të ndryshme dhe përgjithësisht kishin të bënin me një sërë dokumentesh që u janë kërkuar nga autoritetet policore greke që qëndronin përtej sporteleve në anën tjetër të kufirit. “Një prej dokumenteve që m’u kërkua ishte sigurimi shëndetësor, por duke pritur në radhë, pashë dhe dëgjova se kontrollorët grekë u kërkonin shqiptarëve me pasaporta biometrike edhe emrin e personit që i priste në Greqi, ditët e qëndrimit në Greqi, biletat vajtje-ardhje. Gjëja që më tërhoqi më shumë vëmendjen ishte që edhe kur nga shtetasit shqiptarë paraqitej dokumenti që kërkonte polici, në moment kërkohej një dokument tjetër dhe në gjithë atë sjellje nuk kishte asgjë europiane dhe dashamirëse”, tha një prej të zhgënjyerve të parë.

Oficerët dhe policët shqiptarë të kufirit kërkuan të komunikonim me palën greke, por kjo gjë u refuzua nga homologët, të cilët vazhdonin të këmbëngulnin në kërkesat e tyre për dokumente shtesë për vendqëndrimin, që duhet të kishin edhe vula nga policia lokale greke në vendin ku ishte destinacioni i udhëtarit.

Sipas policëve shqiptarë të kufirit, prej orës 00:00 deri në orën 08:00 të mëngjesit të djeshëm, vetëm katër shtetas shqiptarë të pajisur me pasaporta biometrike mundën të kapërcejnë “murin”, ndërsa rreth 30 persona janë kthyer mbrapsht.

Qafë-Botë

Ka qenë ora 05:00 e 15 dhjetorit, kur pikës së kalimit kufitar të Qafë-Botës i janë drejtuar qytetarët e parë që kanë udhëtuar pa viza. Qytetarëve të pajisur me pasaportë biometrike u është kërkuar edhe fleta e sigurimit shëndetësor. Mungesa e këtij dokumenti dhe e informimit për prerjen e tij ka bërë që t’u refuzohet kalimi katër personave. Katër djemtë që u kthyen mbrapsht deklaruan për mediat se ndaj tyre ishte aplikuar sanksioni ekstrem i ndalimit të hyrjes për pesë vjet në hapësirën “Shengen”. Një penalizim i tillë në kufi përbën një shkelje të rëndë, pasi kjo masë merret vetëm në rastet kur shkelen afatet dhe rregullat e qëndrimit në zonën “Shengen” dhe jo kur nuk plotësohen kushtet për të hyrë aty. Gjithsesi, vërtetësia e kësaj ndodhie mbetet për t’u verifikuar nga autoritetet.

Kapshtica dhe Tri Urat

Lëvizja e lirë e shtetasve shqiptarë pa viza ka nisur pak para mesnatës së të martës në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, në një atmosferë festive fishekzjarrësh që kishin përgatitur autoritetet e policisë kufitare në këtë doganë. Hyrjen e parë në Greqi pa vizë e ka regjistruar 72-vjeçarja Sheqere Menushi nga Elbasani, e cila pas shumë vitesh ka arritur të shkojë për herë të parë në shtetin fqinj, për të takuar atje nipat dhe mbesat.

Në Kapshticë, pjesa më e madhe e personave që udhëtuan pa viza ishin të moshuar që deklaronin se shkonin në Greqi për të parë fëmijët e tyre, të cilët nuk i kishin parë prej vitesh në vendet ku jetojnë e punojnë. Nga kjo pikë kufitare nuk janë shënuar kthime të shumta siç ka ndodhur në Kakavijë. Kalimi për në Greqi është bërë pa problem edhe në pikën e kalimit të Tri Urave në Përmet, ku janë paraqitur vetëm katër persona pa viza dhe të katërt janë lejuar të kalojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›