E Diel, 1 Nëntor 2026

Antitrafiqet bllokojnë tri makina luksoze të vjedhura

06/04/2005  TIRANË- Policia zbulon vendstrehimin e makinave të vjedhura. Pas një aksioni të ekspertëve të antitrafiqeve, është arritur të gjendet në mes të Tiranës një garazh, në të cilin ndodheshin tri makina luksoze, të cilat ishin vjedhur jashtë shtetit. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës thanë dje se, personi që i mbante këto mjete në shtëpinë e tij quhet Eduard Zadea, 36 vjeç, nga Tirana. Nga kontrolli në garazh, specialistët e Seksionit të Luftsë Kundër Trafiqeve sekuestruan një mjet tip "Daimler Chrysler", me ngjyrë blu. Pas verifikimit dhe konfirmimit nga Interpol Tirana, rezulton se ky mjet është i vjedhur në Itali. Sakaq u bllokua edhe mjeti tip "Benz Mercedes", ngjyrë blu, që pas verifikimit dhe konfirmimit nga Interpol Tirana, rezulton i vjedhur në Gjermani më datë 31.08.2003. Gjithashtu mes automjeteve të bllokuara përmendej edhe mjeti i tipit "Benz Mercedes", ngjyrë gri, që rezulton se është vjedhur në Beograd në datën 27.11.2003. Në njoftimin zyrtar të policisë së Tiranës, thuhej se "mjetet iu sekuestruan shtetasit Eduard Hajredin Zadea, 36 vjeç, i cili do të ndiqet në gjendje të lirë, deri në sqarimin e rrethanave të çështjes, vepër penale e parashikuar nga neni 141\a i Kodit Penal. Rreth tre muaj më parë, policia ushtroi kontrolle të njëpasnjëshme për bllokimin e mjeteve që rezultonin të vjedhura. Operacioni u krye në kuadër të "Liqenit 4", ku gjatë kësaj faze vetëm në Tiranë u sekuestruan rreth 15 makina të vjedhura jashtë shtetit, ndërsa "Liqeni 3" grumbulloi një shifër më të madhe mjetesh të grabitura.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›