E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzimi i MIG-ut 19 për shkak të një defekti teknologjik

06/04/2005  Prokuroria Ushtarake e Tiranës ka përfunduar hetimet lidhur me rrëzimin e avionit MIG 19, më 16 shtator të vitit të kaluar, ku humbi jetën piloti Jani Tarifa. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, të cilat sqaruan se, përfundimisht është konkluduar që rrëzimi të ketë ardhur si pasojë e një defekti teknologjik. Pra, nuk bëhet fjalë për një defekt teknik, i cili nuk është vënë re nga xhenierët e avionit, apo humbje e kontrollit të pilotit Jani Tarifa. Burimet thonë se ka qenë një nga mashetat centrifugale të avionit, e cila nuk ka kryer funksionin e saj. Pas kryerjes së një numri të madh ekspertimesh rreth karburantit dhe lubrifikantit të përdorur, si dhe pjesëve të tjera teknike të avionit, është konkluduar se gjithë këto elemente kanë qenë të rregullta. Burimet saktësojnë se ka qenë masheta centrifugale e njërit prej motorëve të avionit që ka devijuar drejtimin. Mashetat centrifugale kanë në funksion ngadalësimin e xhirove të motorit. Ato komandohen nga kabina, ku secila mashetë ka një levë që përdoret prej pilotit. Ekspertët e Prokurorisë shpjegojnë se me shtrëngimin e kësaj mashete ulet xhiroja dhe fuqia shtyrëse e një prej motorëve, duke mundësuar devijimin e drejtimit të avionit. Por gjatë ngritjes së MIG-ut nga Jani Tarifa, mëngjesin e 16 tetorit të vitit të kaluar, duket se një prej mashetave centrifugale nuk ka funksionuar, duke çekuilibruar drejtimin e avionit, pohojnë burimet. Si pasojë ka humbur edhe kontrolli dhe avioni u rrëzua pranë disa banesave vetëm 45 sekonda pasi ishte ngritur nga toka. Burimet sqarojnë se nuk kemi të bëjmë as me defekt teknik, as me një gabim njerëzor, por me një defekt teknologjik. Pas këtij konkluzioni, çështja në fjalë është pushuar, pasi rezultati i hetimit u është komunikuar të afërmve dhe kolegëve të Tarfiës, përfundojnë burimet e akuzës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›