Kapet me kanabis, dënohet 9 vite burg hajduti i bankave amerikane
06/04/2005 TIRANË – Grigor Boçari, dënuar në SHBA për vjedhje bankash, ardhur në Shqipëri në vitin 2002, u dënua dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 9 vite heqje lirie. Pas kërkesës për gjykim të shkurtuar, Boçari u dënua me 6 vite burg. Në përfundim, Boçari ishte i pakënaqur nga organi i Prokurorisë, që kërkoi dënimin e tij me 12 vite burg. Për gjykatën, i pandehuri nuk e ka kryer veprën në bashkëpunim. Ndërsa me këtë kualifikim e solli për gjykim Prokuroria. Boçari pranoi se në datën 18 gusht 2004 është kapur në flagrancë në pikën kufitare në Kakavijë, në përpjekje për të kaluar 3 kg lëndë narkotike të tipit kanabis sativa. Këtë sasi, i pandehuri e kishte vendosur në 6 pako të mbështjella me letër natriban me ngjyrë bezhë. Grigor Boçari është nga Saranda dhe jeton i vetëm. Në gjykatë është shprehur se lëndën e ka blerë në Lazarat te një person i quajtur "Xhixhi". Blerja, sipas tij, është bërë fare rastësisht dhe për përdorim vetjak.