E Diel, 1 Nëntor 2026

Çobo: “Riza Balla u takua me Maksim Çelën”

06/04/2005  Procesi gjyqësor ndaj tetë të pandehurve, akuzuar për krime të ndodhura në Lushnjë, vazhdon me dëgjimin e dëshmive. Në seancën e djeshme, dëshmitari Renato Çobo nxori në skenë përsëri emrin e Riza Ballës, personit që aktivizoi dhe më pas e çaktivizoi bombën e vendosur në stadiumin e qytetit, në mars të vitit 2000. Dashur pa dashur, dëshmitari nxori edhe takimin e Ballës me të pandehurin Maksim Çela, disa ditë pas zbulimit të bombës. Renato Çobo tha dje se, Maksim Çelën e njihte vetëm si djalë qyteti dhe se e kishte parë ditën kur ka kërkuar takim me Riza Ballën. "Unë punoja roje në fabrikën e miellit. Riza Balla punonte roje, por edhe riparonte pompa uji. Disa ditë pas ngjarjes më thirri policia dhe më pyeti. Po kështu, një ditë erdhi në punë edhe Maksim Çela, që kërkoi Riza Ballën. Kaq munda të shoh, pasi u largova te tregu për të blerë një bateri për Ballën. Kur u ktheva mësova se Rizain e kishte marrë policia". Në seancën e djeshme gjyqësore u lexuan edhe deklarimet e katër dëshmitarëve, adresat e të cilëve nuk janë gjendur nga policia. Ndërkohë, gjykata konfirmoi se Riza Balla, një prej dëshmitarëve kryesorë të procesit, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, i shtruar në spitalin numër 5 Tiranë. Sipas konfirmimit nga gjykata, Balla vuan nga tumori në kokë dhe është në gjendje të paralizuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›