E Diel, 1 Nëntor 2026

Antivlerat dhe çuditë tre ditëshe që përdhosin shoqërinë!

"O Zot! Fali se s`dinë se ç`bëjnë!.. Jezu Krishti

Prej ditësh nëpër qarqe informale flitet e stërflitet për disa pamje, që enden në formë dixhitale, sa në internet, dhe në aparatet e telefonëve celularë. Për ata që i kanë parë, pamjet mund të cilësohen skandaloze, dhe dihet që fenomenet negative janë gjithmonë në fokusin e sidomos të rinjve. Kështu ka ndodhur edhe me pamjet e të ashtuquajturës VIP (very important person, ang.), ose e thënë shqip të "një personi shumë të rëndësishëm!!!”. Falë edhe lehtësirave që sjell teknologjia, këto pamje, mund të cilësohen si sekuancat më të ndjekura në 3 ditët e fundit, më shumë se çdo program në median shqiptare. Nëpërmjet shërbimit "blu tooth”, pamjet janë shpërndarë pa marrë parasysh moshën e përdoruesve të celularëve, statusin e tyre në shoqëri, ofiqet dhe gradat. Skandali është ndjekur që nga njerzit e thjeshtë e deri te funksionarët, dhe ç`është më alarmantja, edhe nga nxënësit e shkollave të mesme e nëntëvjçare, që nuk kanë ngurruar tjua tregojnë edhe atyre të fillores. Kështu, një person i njohur i ekranit, sigurisht bërë e njohur për ekspozimet e tepruara, alabakërinë, dhe skandalet dhe aspak për ndonjë vlerë intelektuale dhe morale, kthehet sërish në vëmendjen e opinionit, me formën dhe aktet e veta më të shëmtuara. Sigurisht, njeriu mund ta kryejë aktin seksual, si t`i dojë qejfi, ose ashtu siç mendon se është e drejtë, por në atë video, më shumë se pamjet makabre pornografike, mbetet i tmerrshëm akti i drogimit. Ky është pikërisht akti, që po minon nga themelet shoqërinë perëndimore, po shkatërron kombet në tërësi dhe individin në vçanti. Ajo video, me thirrjen e saj për "liri pa kufi"dhe qejf o qerrata deri në fund, sigurisht minon atë që në të vërtetë duhen të mësojnë individët e përgjegjshëm të një shoqërie të ndërgjegjshme.
Sigurisht, dëgjojmë shumë vetë që thonë se publikimi i asaj videoje, është një shkelje e privacisë, pra e jetës personale të individit. Ok. Edhe ne mendojmë se kushdo që e ka publikuar ka kryer një vepër penale, që meriton ndëshkim, por që më standartet mesjetare të hetimeve në Shqipëri, as që mendohet se do marrë dënimin e merituar. E keqja nuk iu bë dy personave që gjenden në atë video, aspak. Dëmi iu shkaktua një shoqërie të tërë, e sidomos të rinjve, që kanë në duart e tyre një tabu. E keqja u bë, dhe pamjet po shpërndahen me postë elektronike, USB, celularë etj. Por duket se pamjet pornografike dhe thithja drogës, nuk e kanë shqetësuar aspak aktoren kryesore në këtë film pornografik. Nisur edhe nga zelli i mediave shqiptare, ajo po nusëron përditë në faqet e para. Kujt dreqin i shërbejnë këto media, shoqërisë? Duket që jo. Nëse do t`i shërbenin shoqërisë do të dilnin në mbrojtje të saj, në mbrojtje të moralit të një rinie të tërë, në mbrojtje të atyre themeleve që na mbajnë në këmbë. Por në të kundërt, gazetat botojnë deklarata idiote, të një monstre mediatike, duke i mbajtur ison "bëmave të saj”. Kjo të ngjan me atë këngën: Bir Selman i nënës, ç`të të qaj më parë… E përse u dashka marrë nën mbrojtje, çfarë i ka dhënë ajo këaj shoqërie? Asgjë, përvç anti-vlerës, shthurjes, imoralitetit, që edhe Natën e Vitit të Ri, s`kishte lënë ekran pa mbushur.
"Çudia më e madhe zgjat vetëm tre ditë”, do thonte VIP-ja. As ja bënte syri tërr. Madje ka nga ata që prodhojnë teori konspiracioni dhe thonë se ajo vetë e ka publikuar videon për të shkaktuar sensacion e për të tërhqur pak vëmendje, se pasi "e kishin përdorur"po e flaknin përtej si një limon i shtrydhur. E në fakt, ajo po del e fituar. Prej ditësh, po e shohim anti-vlerën në ekrane, gazeta, radio… Po e shohim kancerin e shoqërisë të ulur këmbëkryq në mushkrinë e shoqërisë sonë, në moralin dhe vlerat e saj. "Vetëm 3 ditë”, i cilëson kjo monstër mediatike llafet, por nuk di dhe nuk do të llogaritë dëmin që i shkaktohet edhe fëmijëve të shkollës fillore. Dhe ne gazetarët, duke i dalë avokat djallit dhe të birit, po e mbartim shëmtinë në vitrina, pa e ditur se nesër ajo do na zërë frymën, dhe do t`i kthejë fëmijët tanë në hajvanë, që nuk dinë ku fillon e ku mbaron liria, dhe ku nis e ku bitis çmenduria… Nëse s`na vjen keq për veten, le të na vijë për fëmijët tanë…dhe të ardhmen pa të ardhme që servirin këta imoralë mediatikë. Amen

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›