Ky Durrësi i Bardhë…
Kështu nis kënga. Është shkruar shumë shpejt. As vetë ata që e kanë nxjerrë nuk mund të japin një datë të saktë. Megjithatë thuhet se është shkruar në shekullin e 17-të, për të kujtuar bëmat dhe pushtimet e Stefan Dushanit. serbët, e kujtojnë sërish me nostalgji atë kohë, dhe shpesh e përmendin këtë këngë që e di çdo kosovar. Kënga thotë pak a shumë kështu: Atje në Durrësin e Bardhe, do ngopem me raki e me tru shqiptari… Teksti nuk të çudit duke patur parasysh ndjenjat e shqiptarëve dhe serbëve për njëri tjetrin, apo edhe gjithë ballkanasave në përgjithësi për ata që kanë më pranë se këdo në botë. Kënga vazhdon të kujtohet dhe të mbesë e gjallë edhe sot, ndoshta e ri-nxjerrë nga sëndukët e pluhurosur të nacionalizmit, pluhur që u shpërnda nga Millosheviçi në të gjitha kurmin e copëzuar të Jugosllavisë, ëndrrës së vdekur të sllavëve të jugut. E mbetur që nga kohët e pushtimit serbët trevave shqiptare, Serbia vazhdon t`i këndojë Durrësit dhe nga ne këtu në Shqipëri pakkush e di këtë. Gjithsesi, po të kthehemi në ditët e sotme, sado të mira të jenë marrdhëniet mes qendrës më të madhe të shqiptarëve në Ballkan, Tiranës dhe qendrës më të madhe të serbëve Beogradit, merret vesh se mes tyre qëndron Kosova. Flitet për marrdhënie të mira, tregëti, turizëm, etj por në fund gjuha shkon atje ku dhëmb dhëmbi. Në dy muajt e fundit, në Shqipëri erdhën dy politikanë të lartë serbë, njëri i Kosovës dhe tjetri i Serbisë. I pari quhet Oliver Ivanoviç, është politikani më i fuqishëm serb në Kosovë, dhe flet në mënyrë të përkryer shqipen… Ivanoviç ishte në Durrës në mars në konferencën për minoritetet në Kosovë, dhe mund të thuhet se ishte pjesëmarrësi më aktiv në këtë konferencë, edhe më shumë se Lutfi Haziri, zv/kryeministër i Kosovës apo Veton Surroi, kreu i reformatorëve kosovarë. Në një nga pushimet e takimeve, Ivanoviç del në ballkonin e hotelit ku zhvillohej aktiviteti, dhe i përhumbur vështron për një kohë të gjatë qytetin më të madh bregdetar të shqiptarëve, Durrësin. Pikërisht nga Durrësi, Ivanoviç mbrojti jo ëndërrat e humbura serbe për "Durrësin e bardhë”, por bëri aq sa mundi për të kundërshtuar atë që kërkon shumica në Kosovë, pavarësinë. Dhe në një farë mënyre ja arriti të ishte aktori kryesor ato ditë në Shqipëri. Vetëm një muaj më pas, pra rreth 2 ditë më parë presidentët e vendeve të Europës Juglindore u mblodhën po në "Durrësin e bardhë”, për të diskutuar për ekonominë, Kosovën dhe turizmin. Politikani i dytë serb kësaj here nga Serbia ishte vetë presidenti Boris Tadiç, një reformator me një pamje imponuese. I përballur që në fillim më furinë e mediave shqiptare, Tadiç tha se do fliste në fund të takimit të presidentëve. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Politikanët serbë, po bëjnë gjithçka të mundshme për të paraqitur tezat e tyre për Kosovën jashtë Serbisë, dhe sidomos në Shqipëri. Tadiç përvç qëndrimit tashmë të ditur shprehur në takim, u takua më në fund edhe me gazetarët. Si për ironi të fatit, ai doli vetëm pak metra larg bregut të detit, me pamje nga "Durrësi i bardhë" që e soditi sëbashku me presidentin malazez Vujanoviç. Ndonëse qielli i hirtë i qytetit bregdetar shqiptar lështonte një shi të imët, Tadiç doli pikërisht aty për të folur, e për të thënë se as që mund të pranohej pavarësia e Kosovës, dhe nuk harroi të kundërshtonte edhe pavarësinë e Malit të Zi ndonëse Vujanoviç vetëm pak minuta më vonë tha se vendi i tij pas 21 majit do të ishte i mëvetshëm. Pra pikërisht nga "Durrësi i Bardhë"i këngës serbe, Tadiç shprehu atë që e thonë gjithandej politikanët dhe diplomatët serbë. Padyshim që ky qytet, tashmë i paarritshëm për serbët, por përmbush nostalgjinë me deklaratat për Kosovën. A do të këndojnë sëshpejti nacionalistët serbë "në atë Kosovën e bardhë…”? Duket se po. Vetëm se shqiptarët, këndej e andej duhet të dinë se çfarë duan, e të pushojnë se bëri supermenin dhe të jenë më aktivë se homologët e tyre në Beograd.