Ban Ki Mun: Prishtina dheBeogradi, dakord për EULEX
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun ka paralajmëruar në raportin e tij, i cili pritet të shqyrtohet sot në Këshillin e Sigurimit, se Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord të bashkëpunojnë me EULEX-in. Në raportin e shkruar me një gjuhë diplomatike, kreu i OKB-së ka dhënë të kuptohet se si Prishtina, edhe Beogradi, e pranojnë vendosjen e misionit të Bashkimit Evropian për drejtësi dhe polici. Megjithatë, Ban ki Mun e ka përmendur edhe hezitimin e Prishtinës për planin me gjashtë pika. Sipas burimeve diplomatike për mediat ndërkombëtare, plani me gjashtë pika i marrëveshjes mes Beogradit dhe Kombeve të Bashkuara do të jetë pjesë e raportit të Ban Ki Mun, ndërsa propozimi i Kosovës me planin katër-pikësh, që kundërshton këtë marrëveshje dhe kërkon respektimin e Kushtetutës së Kosovës, do të jetë një aneks i këtij raporti. Vendet më të fuqishme të Kombeve të Bashkuara e kanë pranuar marrëveshjen gjashtë-pikëshe, por ato perëndimore kanë kërkuar edhe një marrëveshje të ndërmjetme, që të jetë e pranueshme për Kosovën. Kosova e kundërshton planin e paraqitur nga Ban Ki Mun, pasi pikat e tij shkelin Kushtetutën e Kosovës, duke i dhënë të drejta ekzekutuese misionit i cili në fakt, sipas planit Ahtisari, duhet të kishte karakter mbështetës dhe këshillues për institucionet e shtetit të ri, deri në forcimin dhe funksionimin e plotë të tyre. Prishtina druhet se plani çon drejt ndarjes së pjesës veriore të Kosovës, e cila nuk thuhet se do të mbikëqyret nga EULEX-i, por do të jetë e vetmja nën vëzhgimin e UNMIK-ut. Dje autoritetet në Kosovë i kanë bënë thirrje kreut të OKB-së, që ta marrë parasysh qëndrimin e Kosovës kundër marrëveshjes, që OKB-ja arriti me Beogradin zyrtar për shtrirjen e misionit EULEX-it në Kosovë. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, ka udhëtuar në Nju Jork për ta paraqitur qëndrimin e Prishtinës dhe ka kërkuar zyrtarisht të drejtën e fjalës për të shpjeguar planin me katër pika të Prishtinës. Në raport thuhet se misioni i EULEX-it do të jetë neutral ndaj statusit, ashtu siç ka vepruar UNMIK-u që prej nëntë vjetësh, duke refuzuar kështu pavarësinë e Kosovës.
6 pikat, të pazbatueshme në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi dje para Parlamentit të Kosovës, se në vendin e tyre sovran nuk do të zbatohet asnjë marrëveshje, e cila nuk është në vullnetin e klasës politike dhe popullit të Kosovës. Në komentin e tij për planin me gjashtë pika të Ban Ki Munit, Thaçi tha se është i papranueshëm dhe i pazbatueshëm në Kosovë. Kreu i qeverisë kosovare tha se Rezoluta 1244 tashmë është jorelevante, sepse “Statusi i Kosovës është i zgjidhur tashmë”, tha Thaçi.
EULEX do të jetë neutral ndaj statusit
Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, tha se ka informacione të qarta se raporti i Ban Ki Mun për vendosjen e EULEX-it në Kosovë, do të ketë një qëndrim neutral karshi statusit, kjo ishte pjesë e kërkesës së klasës diplomatike serbe për miratimin e vendosjes së EULEX-it dhe duket se është përfshirë në raportin përfundimtar, që do të përvijojë kompetencat dhe shtrirjen e misionit më të rëndësishëm dhe të kushtueshëm në historinë e BE-së.