Gjoba për 11 farmaci në Tiranë, Dibër e Krujë
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, gjobit 11 farmaci dhe i ndërpret kontratën një tjetre. Pas kontrolleve të ushtruara nga specialistët në subjektet përkatëse, në Tiranë, Dibër e Krujë janë vërejtur një sërë shkeljesh. “Gjatë muajve shtator - tetor 2008, janë ushtruar kontrolle mbi vlerësimin dhe zbatimin e kontratave me subjektet farmaceutike”, sqarojnë burime zyrtare nga ISKSH. Sipas tyre, lidhur me zbatimin e skemës së sigurimeve nga ana e subjekteve farmaceutike, kontrolli është përqendruar tek ato subjekte me tregues të lartë të shpenzimeve të rimbursimit, duke alternuar kontrollin e befasishëm me kontrollin e inventarizim të barnave të listë. Kështu në Tiranë janë vendosur gjoba për dy depo farmaceutike. Ndërsa më shumë shkelje janë vërejtur në Dibër e Krujë. “Në rajonin e Dibrës është evidentuar qarkullim i barnave të listës së rimbursueshme pa pullën e kontrollit të MSH, parregullsi në regjistrimin e faturave në regjistër brenda afateve të përcaktuara në kontratë. Gjithashtu është vënë re prania e librezave të shëndetit të pacientëve në mjediset e farmacisë pa praninë e tyre dhe diferenca në minus të pajustifikuara me receta të rregullta pa rimbursim”, sqarojnë specialistët e ISKSH. Sipas tyre, masa të rekomanduara janë “ndërprerje kontrate” dhe propozim Komisionit të Licencimit për heqje licence për një farmaci, si gjobë për farmacitë e rajonit Dibër në vlerën 46 000 lekë, për diferenca në minus të barnave dhe parregullsi në mbajtjen e dokumentacionit të farmacisë. Ndërkohë, në farmacitë e rrethit Krujë u konstatuan parregullsi në mbajtjen e dokumentacionit. “Mangësi u konstatuan edhe me regjistrimin e faturave brenda afateve, diferencat në plus dhe në minus për barnat e listës. Për rrjedhojë për dy subjekte u vendosën masat e gjobës në vlerën 32 000 lekë dhe dëm ekonomik në vlerën 253 983 lekë. Por ndërkaq nga specialistët e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor është vërejtur se krahasuar me vitin e kaluar situata në rrjetin farmaceutik në rrethe është përmirësuar ndjeshëm. “Është për t’u theksuar se funksionimi i sistemit farmaceutik, përsa i takon rimbursimit të barnave është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme dhe shkeljet që vihen re nga subjektet farmaceutike janë ulur në mënyrë radikale, krahasuar me vitet e mëparshme”, pohuan burimet nga ISKSH.