E Diel, 1 Nëntor 2026

Antonio Kasano sulmon trupën televizive

Një Cassanata përpara Krishtlindjeve nuk mund të mungonte. Episod negativ për Antonio Kasanon që ka sulmuar dhe fyer gojarisht një trupë televizive në Gjenovë. Sulmuesi i Milanit, i bindur se ishte objekti i filmimeve, iu vërsul kameramanit duke e shtyrë. Gazetarja e TeleNord ka provuar që t’i shpjegojë Kasanos se po kryente një mbulim tjetër, por lojtari ka vijuar ta ofendojë. Gjithçka ka ndodhur përpara një lokali në Gjenovën e Pestë, ku trupa televizive ishte aty për të zhvilluar një sondazh për rubrikën “Zëri”. Kur gazetarja dhe operatori po mbyllnin punët e tyre, futet në skenë Antonio Kasano. Fantazisti barez zbriti nga makina e tij dhe iu vërsul operatorit, që në atë moment e kishte fikur kamerën. Të shumtë ishin ata që u futën në mbrojtje të trupës televizive, pasi Kasano po e kërcënonte kameramanin se “do t’ia thyente turinjtë”. Gazetarja rrëfen se “kamera ishte e fikur dhe se Kasano e sulmoi pa të drejtë operatorin tim. Tani ai duhet të na kërkojë falje”. Kasano u operua në kokë pas një iktusi ishemik dhe do të qëndrojë larg fushave për një periudhë disa mujore. Fakti se shëndeti i tij u kthye në qendër të vëmendjes, mund ta kenë detyruar lojtarin e Milanit që të reagojë keq.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›