Mançini: Tevezi? Jo huazim, vetëm shitje
Trajneri i Mançester Sitit, Roberto Mançini, mendon se zgjidhja më e mirë është shitja e Karlos Tevez e jo huazimi i tij. 27-vjeçari ka pasur disa mosmarrëveshje me drejtuesit e klubit e në veçanti me trajnerin, ndërsa e ka shprehur hapur dëshirën e tij për t’u larguar nga “Etihad Stadium”. Milani është nga skuadrat më të interesuara për transferimin e argjentinasit, mirëpo kuqezinjtë dëshirojnë ta huazojnë atë me opsionin për ta blerë dhe jo ta blejnë që në janar. “Shpresoj që të gjejmë një zgjidhje të mirë për ne dhe Karlosin. Ne duam që Karlos të kthehet dhe të luajë futboll, ndërsa zgjidhja më e mirë për ne është që ta shesim atë. Nuk mund ta lejojmë atë që të largohet në formë huazimi”, u ka thënë Mançini gazetarëve.