E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antraksi te një viç, fshati në karantinë

 

SHKODER - Një fshat në Malësinë e Madhe është vënë në karantinë pasi u shënua rasti i parë i antraksit. Banori i fshatit Lohje, Nikoll Brahimi dha alarmin pasi një viç tre muajsh shfaqi simptomat e kësaj sëmundjeje, e më pas, ekspertët veterinerë konfirmuan se kishin të bënin me antraksin. Në fshatin Lohje  janë 50 shtëpi me 2 mijë bagëti dhe kjo është një ndër zonat kryesore që furnizon rrethin e Malësisë së Madhe me mish dhe qumësht. I zoti i shtëpisë, Nikoll Brahimi kur ka parë shenjat e sëmundjes tek viçi ka lajmëruar veterinerin e zonës. Veterineri Sabri Mehmeti pohoi se, sapo është marrë njoftimi, bagëtia 3- muajshe është marrë dhe dërguar në laboratorin e veterinarisë në Shkodër. "Pas analizave ka rezultuar se bagëtia kishte shenja të sëmundjes së antraksit dhe më pas është groposur. Janë marrë masat duke kontrolluar të gjitha bagëtitë e familjes Brahimi. Nga kontrolli i ushtruar nuk na kanë rezultuar të prekura nga antraksi bagëtitë e tjera", u shpreh veterineri. Sipas specialistëve është vetëm një rast i izoluar dhe gjendja është nën kontroll. Strukturat përkatëse morën masa, ndërsa shkuan në vend grupe veterineresh edhe nga qyteti i Shkodrës. "Janë marrë masa për izolimin dhe dezinfektimin e të gjitha bagëtive të fshatit Lohje. Veterinerët po bëjnë vaksinimin e të gjitha bagëtive të zonës, duke e futur të gjithë fshatin në karantinë", u shprehën specialistët.      r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›