E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitetet, në sitë për cilësinë e diplomave

 

ZIRINA LLAMBRO

Në sitë për cilësinë e diplomave që lëshojnë. Në universitetet publike e private duhet të nisin menjëherë kontrollet për standardet. Por gjithë ky proces nuk mund të ndodhë përpara se Ministria e Arsimit të përcaktojë kriteret e vlerësimit. Ndërkaq shtrohet nevoja që ligji “Për arsimin e lartë” të zbatohet njësoj nga të gjitha institucionet. Gjithashtu rektorët kërkuan unifikim të kritereve për pranimin e studentëve, por edhe të detyrimeve që kanë pedagogët. Këto ishin pikat kyçe të diskutimeve gjatë mbledhjes së djeshme të konferencës së rektorëve. "Universitetet private dhe publike të vihen në kushte të barabarta konkurruese dhe për këtë do të kërkohen të bëhen financime për të siguruar barazi financiare për të dyja llojet. Mbi bazën e standardeve që duhen përcaktuar, të bëhet vlerësimi për një renditje të universiteteve shqiptare publike e private në lidhje me cilësinë që ato sigurojnë", u shpreh kryetari i konferencës së rektorëve Jorgaq Kacani. Sipas tij, duhet të fillojë puna për ngritjen e njësive përkatëse të sigurimit të cilësisë, të bëhet propozimi për standardet shtetërore të cilësisë mbështetur në udhëzimet e sigurimit të cilësisë në hapësirën evropiane të arsimit të lartë. "Nga ana e MASH-it të sigurohen standardet që në licencimin e universiteteve", tha Kacani. "Ndërsa nënkryetari i konferencës, profesor Aleks Luarasi, nënvizoi se sfida kryesore mbetet rritja e nivelit cilësor të arsimit të lartë. Një problem shumë shqetësues për universitetet private mbetet TVSH-ja, taksë kjo që  nuk ka ekzistuar më parë. "Aplikimi i këtij tatimi e ka rënduar bilancin e universitetit privat, të cilat për të përballuar janë para alternativave për rritjen e tarifave të shkollimit, dhe    përballimin e TVSH-së", u shprehën rektorët. Sipas tyre, këto universitete janë të rinj në moshë dhe në një periudhë që kanë nevoja të ngutshme për investime. Për më tepër në vendet e tjera të botës arsimi i lartë privat nuk paguan TVSH-në, ose vlera e saj është simbolike. Nga sa u nënvizua, stafi mësimdhënës mund të punojë tek privati vetëm nëse nuk lë pa shlyer punën në universitetet publike. "Kontratat e lidhura me stafin akademik duhet të pasqyrojnë të gjitha detyrimet e ndërsjellta institucion-individ. Ngarkesat mësimore do të diskutohen për të nxjerrë në pah, tregues sa më të matshëm me qëllim vlerësimin sa më real të punës mësimore e shkencore", theksoi kreu i konferencës së rektorëve, Jorgaq Kacani. Ai nënvizoi se, me rendësi të veçantë do të jetë gjetja e mekanizmave ekonomikë për të siguruar ardhjen e pedagogeve të huaj,m e rëndësishme veçanërisht për nivelin e dytë të studimeve. Rektorët diskutuan gjithashtu edhe për sigurimin e një rrjeti informues ndëruniversitar, duke investuar në pasurimin dhe informatizimin e bibliotekave.

Problematika e diskutuar

1-Statusi i Profesorit
(Trajtimi financiar dhe detyrimet
Kualifikimet shkencore të safit akademik)
2- Cilësia e universiteteve
(Vlerësimi i brendshëm dhe i jashtëm i universiteteve)
Sigurimi i cilësisë pranë çdo institucioni të arsimit të lartë
3-Planet strategjike të zhvillimit të universiteteve
(Përmirësim të kushteve të mësimdhënies
4-Universitetet publike e private në kushte të njëjta konkurrence. 
5-Aplikimi i TVSH-së për universitetet private
(Alternativat për të zgjidhur këtë ngërç)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›