Pranga burrit ushtroi dhunë ndaj gruas
TIRANE - Arrestohet bashkëshorti që dhunoi gruan, duke shkelur vendimin e gjykatës, e cila më parë kishte lëshuar urdhër mbrojtje për bashkëshorten. Policia e Tiranës njoftoi dje se ka dërguar të dyshuarin për ndjekje penale në Prokurori me akuzën e plagosjes fyerjes dhe pengimit të ekzekutimit të gjykatës. Luan Ndreu 37 vjeç, banues në Institutin Bujqësor në Kamëz është arrestuar nga policia e Komisariatit nr.5, pas informacionit se në një banesë kishte konflikt në familje. Policia ka mbërritur në adresën e lajmëruar dhe ka konstatuar se konflikti ka ndodhur në familjen Ndreu, mes Luan Ndreut dhe bashkëshortes së tij. Për këtë të fundit Gjykata e Tiranës, kishte nxjerrë një urdhër mbrojtjeje më 3 shtator 2008, pas denoncimit të bërë prej saj për dhunën që i shoqi ushtronte. Pas lajmërimit të fundit në polici nga bashkëshortja e dhunuar, efektivat blu kanë mbërritur në familjen Ndreu duke kryer arrestimin e menjëhershëm të 37-vjeçarit. Sipas policisë gruaja ishte goditur me sende të forta dhe me grushte madje është fyer nga i shoqi. Veç këtij rasti, policia e Tiranës, ka nisur procedurat për mbrojtjen e tri grave të tjera, të cilat kanë denoncuar ushtrimin e dhunës nga bashkëshortët. d.b