Bie nga skela, vdes punëtori
BERAT/ELBASAN
Dy aksidente në punë, me pasojë vdekjen e një punëtori e plagosjen e një tjetri, ndodhën dje në Berat dhe Elbasan. Sipas policisë, precedentët e radhës për punëtorët e ndërtimit që aksidentohen në punë u shënuan pasi firmat ku ata punonin nuk kishin asnjë siguri teknike. Viktima Gramoz Dyrma, 37 vjeç nga Berati ra nga një lartësi prej tetë metrash të një godine në ndërtim e sipër. Ndërsa në Elbasan, një 19-vjeçar që punonte në ndërtim rrezikoi jetën pasi i ra një tullë në kokë. Policia nisi hetimet për të dyja rastet e këtyre aksidenteve në punë, nga ku rezultoi se viktimat punonin pa rripa sigurimi dhe pa kokoren përkatëse në rast të ndonjë aksidenti.
Sipas policisë së Beratit, ngjarja që përfundoi fatalisht për 37- vjetarin nga fshati Lapardha i komunës Otllak ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Viktima Gramos Dyrma, me profesion saldator, ishte i punësuar në firmën "Protoduari" me pronar Sh. Protoduari. Firma po kryente punime në vendin e quajtur "Kthesa e Lapardhasë" ku në ndërtim ishte një godinë dykatëshe. Në momentin e ngjarjes, sipas punëtorëve të tjerë dëshmitarë, 37-vjeçari ishte duke punuar në vinç duke e salduar atë. Ai ishte vendosur mbi skelën që shërbente për të punuar, në një lartësi 8 metra. "Kur Dyrma ishte duke punuar, papritmas i shpëton leva e hekurit që po drejtonte kokën e vinçit. Ai humbi ekuilibrin dhe u shkëput nga skela duke rënë përtokë mbi beton", deponuan punëtorët e tjerë pas ngjarjes në polici. Viktima është transportuar në spitalin rajonal të Beratit. Por ai nuk mundi t'i shpëtojë plagëve që kishte marrë e për pasojë vdiq pa shkuar ende në spital. Grupi hetimor deklaroi se, shkak i vdekjes se saldatorit Gramoz Dyrma është bërë mosrespektimi i sigurimit teknik. Ai ka qenë pa rrip sigurimi dhe pa kokore gjatë kohës që punonte. Pronari i firmës u shoqërua për disa orë në polici, por më pas u la i lirë. Ndërkohë, po dje në mëngjes, një 19-vjeçar nga një fshat i Elbasanit mbeti i plagosur rëndë pasi u godit aksidentalisht në kokë nga një tullë që ra nga një lartësi prej 5 metrash nga objekti ku po punonte. Sipas policisë, Florion Dushku, u dëmtua rëndë dhe ndodhet në spitalin e Elbasanit nën kujdesin e mjekëve. Burime spitalore bënë të ditur se, i riu është në gjendje kritike pasi ai ka pësuar politraumë. Dhe në këtë rast kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e ngjarjes. d.xh/ a.k