E Diel, 1 Nëntor 2026

Banditizmi korrupsionist çoi në degradimin e KLD-së

(E posaçme) - Raporti i ekspertëve të EURALIUS, misionit faktmbledhës të Bashkimit Europian, ka denoncuar sistemin e korrupsionit mbi të cilin po vepron KLD-ja. Që nga emërimi i gjyqtarëve, mungesa e transparencës e deri tek procedura e masave disiplinore, zbulohet një skemë e gjerë banditizmi që ka degraduar institucionin që drejtohet nga kryetari i shtetit dhe po shkatërron sistemin e drejtësisë


Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka shkelur kompetencat ligjore në emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit. Ky është konkluzioni i fundit i raportit të EURALIUS (Misioni Evropian për asistencë ligjore në fushën e rendit dhe të drejtësisë) për funksionimin e sistemit të drejtësisë, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri. Sipas raportit të hartuar nga ekspertët e misionit të Bashkimit Evropian, Fransis Desterbeck dhe Thierry Loquet, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vepruar në mënyrë krejtësisht jo transparence, duke shkelur kështu ligjin dhe rregullat e vendosura më parë nga vetë KLD. “Një raport i kohëve të fundit thotë se në lidhje me emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, procedura e përzgjedhjes është bërë në një mënyrë krejtësisht jo transparente, në shkelje me ligjit, dhe në shkelje edhe me rregullat e vendosura kohët e fundit nga KLD vetë. Kjo e bën funksionimin e sistemit gjyqësor shumë larg standardeve të Bashkimit Evropian. Një motivim i konsiderueshëm duhet t’u jepet kandidatëve të tjerë dhe publikut t’i bëhet një pasqyrë e qartë për arsyet pse një kandidat është emëruar”, thuhet në raportin e EURALIUS. Raporti i misionit të BE për asistencën ligjore në fushën e rendit dhe drejtësisë, thekson se Këshilli i Lartë i Drejtësisë kryesohet nga Presidenti i Republikës, ka 15 anëtarë: Presidenti, Ministri i Drejtësisë, kreu i Gjykatës së Lartë, 9 anëtarë të zgjedhur nga gjyqësori, dhe 3 anëtarë, të zgjedhur nga Parlamenti. KLD vërteton ankesat e qytetarëve, vlerëson gjyqtarët, verifikon deklarimet e pasurisë së gjyqtarëve, inspekton gjykatat dhe gjyqtarët dhe ka një kompetencë disiplinore, duke përfshirë propozimin për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve. Raporti vëren se kompetencat e Ministrisë së Drejtësisë, nuk janë të përcaktuara qartë. “Ministria e Drejtësisë, ka një përgjegjësi të përgjithshme për menaxhimin e sistemit gjyqësor. Ashtu si KLD, ajo ka inspektoratet e saj. Inspektoratet e KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë, kanë kompetenca edhe praktika identike. Kompetenca për hetime disiplinore kundër gjyqtarëve duhen caktuar vetëm për inspektoratin e KLD-së, ndërsa mbikëqyrjen e përgjithshme të kushteve në sistemin gjyqësor duhet të jenë përgjegjësi e inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në raport. Më tej vërehet se sistemi i drejtësisë ka nevojë për ngritjen e Gjykatës Administrative. “Një projektligj për themelimin e Gjykatës Administrative është në pritje në parlament që prej disa kohësh. Megjithatë, për të bërë të vlefshme, miratimi i ligjit kërkon një shumicë të cilësuar prej 3/5 të votave, shumicë e cila aktualisht nuk është në dispozicion. Ky është një institucion relativisht i ri, i themeluar nga një vendim të Këshillit të Ministrave të datës 15 shkurt 2006”, vijon raporti i misionit të Bashkimit Europian i specializuar për asistencë ligjore në fushën e rendit dhe drejtësisë. EURALIUS përfundoi misionin në Shqipëri më 30 qershor 2010-ë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›