E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Rama, në komision ose padi në Kushtetuese”

Autori i Lajmit: Lorena Killo
“Rama ka dy opsione: Komisionin ose Kushtetuesen”,- këto dy zgjidhje i ka ofruar Berisha kundërshtarit të tij në reagimin e parë për protestën. Kur greva e 20 deputetëve socialistë dhe 180 mbështetësve të tyre, e cila është vendosur para godinës së Kryeministrisë, ka hyrë në ditën e katërt, nga kjo godinë erdhi dhe reagimi i kryeministrit Berisha, i cili konferencën për shtyp ia kushtoi lirisë së medias me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, si dhe grevës së opozitës. Shefi i qeverisë shprehu vlerësim për median në Shqipëri, ndërsa tha se qeveria është e gatshme dhe e hapur për çdo reformë dhe veprim ligjor që garanton lirinë e fjalës dhe të shprehjes. Berisha me këtë rast nuk la pa komentuar edhe grevën e Partisë Socialiste, e cila tashmë është në ditën e saj të pestë. Ai tha se “nuk humbas ndjeshmërinë njerëzore ndaj cilitdo që është në vuajtje, shpreh keqardhje për këtë vendim të dëshpëruar të Edi Ramës, unë kam porositur të gjitha institucionet që të kujdesen për shëndetin e tyre”. "Rama e ka marrë këtë vendim në kundërshtim me vendimet e gjykatave, unë jam i hapur për dialog dhe për transparencë, por brenda ligjeve të vendit",- tha Berisha. "Dokumenti i byrosë së APKiE përbën bazën e shkëlqyer ligjore të zgjidhjes së kësaj çështjeje. Ftoj Ramën ta studiojë me vëmendje”,- ishte apeli i Berishës, i cili shprehu gatishmërinë dhe bindjen se nga ky dokument mund të gjendej “zgjidhja e përgjigjeve të të gjitha problemeve që Rama ngre për transparencën”. Berisha tha se respektonte të drejtën e opozitës për të hyrë në grevë urie dhe se qeveria kishte “obligim kushtetues për të garantuar lirinë e plotë për të gjitha format e protestave paqësore”, ndërsa në rrafshin njerëzor detyrim mbetej “kujdesi shëndetësor dhe siguria ndaj grevistëve”. Kryetari i mazhorancës tha më tej se ishte i hapur për të biseduar në çdo moment me kundërshtarin e tij politik, por që Rama kishte dy opsione: “T’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe kjo më pas me tagrin e vet t’i drejtohet Komisionit të Venecias. Nëse nuk e preferon, të vijë në komision do të ketë shumicën në çdo votim për të bërë transparencën e plotë”. Por “duhet të theksoj se zoti Rama ka ndërmarrë këtë veprim si një përpjekje për të përmbysur vendimet e gjykatave dhe kjo është në kundërshtim të hapur në themel të një shoqërie të lirë. Vendimet e gjykatave në çdo vend të lirë dhe në interesin më jetik të çdo qytetari edhe të atyre që protestojnë mund të ndryshohen vetëm me gjykata me asnjë mjet tjetër”,- tha Berisha duke nënvizuar se, "nëse greva kishte të bënte me qeverinë, do të ishte zgjidhur çdo gjë. Gjatë pyetjeve të gazetarëve, kryetari i Qeverisë i kujtoi Ramës se greva që ai po zhvillon “ishte e paligjshme“, pasi po shkelte një nen të Kodit Penal që ndalon bllokimin e qarkullimit. “Mendoj që Rama dalngadalë të reflektojë“. Duke i uruar shërim të shpejtë deputetes greviste Klodiana Spahiu, e cila gjatë natës së djeshme u shtrua në spital për shkak të komplikacioneve në stomak, Berisha komentoi: "Historia e vetëflijimeve është histori e gjatë sa vetë njerëzimi dhe secili bën përzgjedhjen e tij, por po të kishte të bënte me qeverinë, jo me gjykatën do të ishte zgjidhur 100 herë, por ka të bëjë me gjyqësorin”.

Liria e Medias

Berisha: “Ne, asnjë padi ndaj gazetarëve”

Në Ditën Botërore të Lirisë së Medias, kryeministri Berisha përshëndeti kontributin e gazetarëve në media, të cilët, me gjithë vështirësitë e njohura, kanë përmbushur misionin e tyre. Kreu i Qeverisë nënvizoi se ka qenë një vit me ngjarje madhore në historinë e kombit dhe mediat kanë qenë në lartësinë e duhur në informimin e opinionit publik. Berisha tha se ndihej krenar që kjo mazhorancë, në mandatin e saj të dytë dhe gjatë mandatit të saj të parë, nuk lejoi qoftë dhe një proces të vetëm gjyqësor drejt gazetarëve. “Në Shqipëri mori fund farsa zyrtare gjyqësore kundër medias“, - tha ai. Berisha nënvizoi se mediat shqiptare “nuk mund të thuhet se kanë liri të plotë në aspektin e pronarëve të tyre dhe të grupit të interesit që ato përfaqësojnë“ dhe në këtë kuadër shprehu gatishmërinë e qeverisë për të marrë çdo nismë ligjore që do t’i shërbente konsolidimit të pavarësisë së medias.

Topi

“Media e lirë, politika të ndërgjegjësohet”

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, presidenti Topi ka përshëndetur të gjithë gazetarët shqiptarë, duke deklaruar se ata “më shumë se kushdo tjetër kanë ndikuar në zhvillimet demokratike dhe në mënyrën tonë të përditshme të komunikimit”. “Aktorët politikë duhet të ndërgjegjësohen për rëndësinë e pavarësisë së gazetarëve dhe të medieve, për faktin se një shoqëri e emancipuar dhe demokratike ndërtohet vetëm duke i dhënë përparësi pavarësisë së sistemit mediatik nga politika, një pavarësi maksimale të mundshme. Tashmë përvoja e ka dëshmuar e provuar katërcipërisht edhe në Shqipëri postulatin që media është pushteti i katërt. Sigurisht, një pushtet jo i zgjedhur, por si i tillë nga marrëdhënia që ai ka me të vërtetën. E vërteta duhet të jetë kufizimi i vetëm i lirisë së medias dhe të gazetarëve si dhe pika e tyre e arritjes. Pushteti që përmendëm është atribut demokratik dhe si çdo pushtet tjetër, atij i kanosen rreziqe të natyrave të ndryshme, teprime apo mediokritete që mund t’ia shpërfytyrojnë natyrën”, – theksoi Topi në fjalën e tij.

Ky lajm është publikuar: 04/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›