E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nesti Nase: “Pakti SHBA-Rusi rrezikon të ardhmen e OKB-së”

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Nju-Jork, 30 shtator 1966 – Propozimet e disa prej vendeve më të vogla të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për rolin e forumit në përpjekjet e paqes në Vietnam u ndeshën me një “jo” të fortë ditën e enjte nga Shqipëria, që konsiderohet dhe zëri i Kinës Komuniste në OKB. Nesti Nase, ministri i Jashtëm shqiptar, tha përpara Asamblesë së Përgjithshme prej 119 shtetesh se Vietnami Verior kundërshtonte çdo lloj ndërhyrjeje të Kombeve të Bashkuara. “Delegacioni shqiptar dëshiron të theksojë faktin se çdo përpjekje e këtij lloji do të dështonte, sepse ajo do të ishte një goditje e re ndaj së ardhmes së OKB-së, e cila tanimë është rrezikuar shumë”, - tha kryedelegati shqiptar.

E përjashtuara virtuale

Shqipëria është e përjashtuara virtuale mes vendeve të bllokut sovjetik dhe nuk takohet me asnjërën prej tyre në takime dypalëshe. Megjithatë, vota e komunistëve shqiptarë përgjithësisht nuk ka pasur dallime. Nase pasqyroi dhe ndarjen mes Pekinit dhe Moskës me akuzën se situata në Vietnam po përkeqësohej më shumë për shkak të politikës “së një tjetër fuqie të madhe, e cila forcon çdo ditë e më shumë rivendosjen e marrëdhënieve me imperialistët amerikanë”. Pekini e ka akuzuar Bashkimin Sovjetik se po punon prapa krahëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen e Vietnamit. “Ne nuk do të biem në kurthin e negociatave”, të propozimeve amerikane për paqen në Vietnam”, - shtoi më tej Nase. Sulmi i gjerë i Nases kishte dy objektiva konkrete dhe pse vetëm njërin drejtpërsëdrejti. Ai u drejtohej fillimisht Shteteve të Bashkuara dhe më pas Bashkimit Sovjetik. “Propozimi prej tre pikash i ofruar nga ambasadori amerikan, Artur Goldberg, u parashtrua, sepse Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta marrin veten nga humbjet në fushëbetejë përmes gjoja propozimeve për paqe”, - vazhdoi më tej Nesti Nase. “Uashingtoni e zhvendosi shënjestrën e tij të strategjisë së luftës nga Evropa në Azi, ku ai gjeti një pengesë të madhe ndaj planeve të tij, si Kina Komuniste”, - tha shqiptari. Nase shtoi gjithashtu se Uashingtoni po tentonte ta rrethonte Kinën me baza dhe po negocionte një sistem aleancash kundër saj. Diplomati shqiptar e shmangu përmendjen e Moskës me emër, por objektivi i tij ishte më se i qartë në momentin kur ai akuzoi se zhvendosja e strategjisë amerikane nga Azia “është mbështetur energjikisht nga një fuqi e madhe evropiane”. Në një tjetër moment, Nase u shfaq po me kaq përbuzje edhe ndaj fuqisë së madhe që po forcon dita-ditës politikën e saj të afrimit dhe përmirësimit të marrëdhënieve me kundërshtarët e saj, deri dje. Sjellja e Shqipërisë në sallën e Asamblesë shuajti dhe shpresën e diplomatëve të OKB-së, të cilët ripërsëritën se kushtet e Vietkongut për negociatat e paqes me Vietnamin, dëshmuan edhe një herë se Hanoi e vlerësonte si ofendues planin më të fundit të Shteteve të Bashkuara.

“Aleanca e Shenjtë”

Nase akuzoi se Shtetet e Bashkuara po kërkonin një tjetër “aleancë të shenjtë antikineze”, së cilës do ti bashkoheshin fuqitë kryesore të Evropës dhe fqinjet aziatike të Kinës për të plotësuar “atë që tradicionalisht quhet një rrethim i hekurt i Kinës”. Ministri i Jashtëm bëri gjithashtu thirrje për një tërheqje pa kushte dhe të menjëhershme të forcave amerikane nga Vietnami Jugor. “Kjo është e vetmja rrugë për një zgjidhjeje të problemit të Vietnamit”, - shtoi ai. “Nuk asnjë zgjidhje tjetër”.

Mekanizmi i kontrollit

Duke reflektuar qëndrimet e disa prej vendeve më të vogla, ministri i Jashtëm i Danimarkës, Per Hakkerun, tha se ishte diçka e përfytyrueshme se në një fazë të caktuar autoriteti i Kombeve të Bashkuara mund të përdorej si mekanizmi i kontrollit të zgjidhjes paqësore të problemit të Vietnamit. “Nëse Kombet e Bashkuara do të marrin një rol të tillë, unë shpreh bindjen time se shumë vende anëtare do të përgatiten për të kontribuuar me personel, pajisje dhe para”, - tha ai. “Danimarka do të jetë me siguri mes këtyre vendeve”.

Mbështet ofertën e SHBA-së

Diplomati danez shprehu mbështetjen e tij për propozimet më të fundit të SHBA-së për paqen në Vietnam, të cilat Per i vlerësoi se afroheshin më shumë me planin trepikësh të përkrahur nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Thant. Megjithatë, ato ndryshojnë shumë në momentin kur Thant bëri thirrje për ndaljen e menjëhershme dhe pa kushte të bombardimeve amerikane në Vietnamin Verior dhe përcaktimin e një roli më të qartë të Vietkongut në tavolinën e konferencës. Deri pak përpara fillimit të takimit të 21 të Asamblesë, Vietnami që është dhe kërcënimi më i madh i paqes botërore, nuk ishte në axhendën e diskutimeve. Shkurtin e shkuar, SHBA-ja e kishte çuar atë në Këshillin e Sigurimit, kur negociatat u shumuan për shkak të kërcënimit të rusëve se do përdornin veton ndaj çdo ndërhyrjeje. Në qershor, qeveria e Vietnamit Jugor i kërkoi OKB—së që të dërgonte vëzhgues për të ndjekur nga afër zgjedhjet e javës së fundit. Por një kërkesë e tillë u “injorua” nga kryetari i Këshillit të Sigurimit. Anëtarët e tij dyshonin se po të dërgonin vëzhgues pa fuqitë e mëdha “do të ishte frytdhënëse për OKB-në”, duke qenë se kundërshtimi i Francës dhe sovjetikëve do ta bënte më të vështirë detyrën e tyre dhe mund gjithashtu të dëmtonte imazhin e institucionit si një forcë paqeje. Por lufta e Vietnamit nuk është e izoluar dhe përfshin shumë zona. Sipas diplomatëve, sekretari Thant tashmë është i lodhur dhe nuk dëshiron më të shërbejë në një mandat të dytë dhe qarqe brenda OKB-së bëjnë me dije se këtë javë ata do të bien dakord për të zgjedhur një Sekretar të ri të Përgjithshëm.

Ky lajm është publikuar: 01/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›