Anulimi i Shtetit dhe dinjitetit njerëzor
Nuk ka rëndësi kush është Almir Rrapo. Nuk ka fare rëndësi se çfarë ka bërë dhe përse akuzohet. Ajo që del sot me përmasat e një skandali, me përmasat e thërrmimit të dinjitetit njerëzor, e shkallmimit të ekzistencës së një njeriu në shoqërinë civile dhe në një Shtet të dëshiruar civil, është e padurueshme: Gjykata e Lartë e Shqipërisë rrëzon vendimin e gjykatës sonë të Apelit për ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që ky njeri, është postuar si një pako dhe është ekstraduar pak ditë më parë. E gjitha kjo nuk ndodh në dhomat sekrete, të shërbimeve sekrete, të analeve sekrete. E gjitha kjo ndodh nën mbikqyrjen e strukturave më të larta të Drejtësisë të Bashkimit Evropian, ndodh nën tentativën për transparencë të “Gazetës Shqiptare” dhe Neës24. Kjo ndodh në sy të të gjithëve e duke sfiduar këdo dhe gjithçka. Ky rast, me emrin “Rrapo”, do të mbahet mend se si në vitin 2010, në sytë e gjithë botës, se si trajton dhe sa vlejnë shqiptarët për shtetin e tyre. Kur Shteti shqiptar nuk respekton të gjitha shkallët e Drejtësisë, për servilizma karrikesh e mosprishje qejfi “fuqish”, çfarë do të pretendojmë ne nga të tjerëtt? Çfarë do të pretendojmë nga Greqia, Italia, kur ngremë zërin për respektim të të drejtave të emigrantëve? Çfarë duhet të pretendojmë nga të tjerët të na respektojnë?
Kur një situatë e tillë shënohet në nivele të tilla, imagjinojmë se çfarë ndodh me të drejtat dhe gjykimin e njerëzve pas dyerve ku nuk mbërrijnë kamerat apo debatet ndërkombëtare. Ky është falimentimi ynë, falimentimi i të gjithëve ku, pas 20 vjetësh, në vend që të kishim ndërtuar Shtetin e të drejtës, përballemi me Shtetin paralel të bajraktarëve të radhës.