E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anullohen titujt e pronësisë, ishin zaptuar

Anullohen disa tituj pronësie për disa toka të ndara në mënyrë të kundraligjshme Zv/kryeministri Pollo, njëkohësisht Kryetar i KQT-së informon mbi shtrirjen e efektit të ligjit "Për verifikimin e titujve të pronësisë" . 

TIRANË- Zëvendëskryeministri, Genc Pollo, njëkohësisht Kryetar i Komisionit Qeveritar të Tokës deklaroi sot për mediat, se "ligji për verifikimin e titujve të pronësisë ka dhënë produktet e para, pasi deri tani është anulluar titulli i pronësisë për disa toka që janë ndarë në mënyrë të kundraligjshme duke abuzuar me ligjin 7501.

“Ka patur raste skandaloze si zaptimi përmes fallsifikimit të oborrit të shkollës Libofshë në rrethin Fier, ose zaptimi i tokës së parashikuar për varreza në fshatin Dermenas, po në Fier. Komisioni vendor pranë prefekturës mori vendimet e duhura duke zbatuar ligjshmërinë dhe duke ndëshkuar zaptuesit", tha zoti Pollo.

Ai informoi se "deri tani u janë marrë zaptuesve afro 68 mijë m2 tokë dhe konkretisht në prefekturën e Fierit janë marrë 32 mijë m2, në prefekturën e Vlorës 30 mijë m2, etj".

Zv. Kryeministri vuri në dukje se me përparësi po shqyrtohen abuzimet në brezat turistike dhe janë identifikuar jo pak sipërfaqe të marra në mënyrë të kundraligjshme.

"KQT-ja dhe komisionet vendore po punojnë dhe së shpejti priten vendimet e para për duzina hektarë tokë, që do t'u hiqen zaptuesve. Kështu korrigjohen padrejtësitë e bëra në të shkuarën nga ofiqarë abuzivë dhe nga persona privatë të panginjshëm", tha ai.

Sipas z. Pollo "në këtë mënyrë komuniteteve do t'u kthehen hapësira të përdorimit publik si dhe do të krijohet gradualisht një fond për kompensimin e ish-pronarëve". (a.r/ata/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›